Senati Amerikan konfirmoi Scott Bessent-in si sekretar të Thesarit, duke i dhënë drejtuesit miliarder të fondeve të investimeve, rol qendror në hartimin e përparësive politike të administratës së re në lidhje me uljen e taksave, të shpenzimeve qeveritare dhe menaxhimin e marrëdhënieve ekonomike me aleatët dhe kundërshtarët. Si sekretari i 79-të i Thesarit, Bessent do të ketë ndikim mbi mbledhjen e taksave dhe tregun e borxhit të thesarit prej 28 trilion dollarësh, mbi politikën fiskale, rregulloret financiare, sanksionet ndërkombëtare dhe investimet nga jashtë. Votimi ishte 68-29, me 16 demokratë që mbështetën emërimin e tij.
Bessent, 62 vjeç, tashmë është shfaqur si një mbrojtës i fuqishëm për axhendën ekonomike të presidentit Trump, e cila përqendrohet te ulja e taksave dhe vendosja e tarifave të larta, që demokratët dhe disa ekonomistë, argumentojnë se mund të zhbëjnë një pjesë të përparimit nga Rezerva Federale në vendosjen e inflacionit nën kontroll.
Në seancën e konfirmimit, Bessent paralajmëroi se dështimi për të rinovuar një shkurtim prej 4 trilion dollarësh nga taksat, që skadon në fund të këtij viti do të ishte një “fatkeqësi” për amerikanët e klasës së mesme dhe argumentoi se tarifat do të ndihmonin në luftimin e praktikave të padrejta tregtare, rritjen e të ardhurave, si dhe do të forconin ndikimin e Shteteve të Bashkuara në negociatat ndërkombëtare.
Gjithashtu kundërshtoi idenë se politikat e presidentit Trump do të ishin inflacioniste e tha se përpjekjet e administratës për të rritur prodhimin e naftës në fakt do të ndihmonin në uljen e çmimeve. Si zyrtari më i lartë ekonomik i presidentit Trump, Bessent do të përballet me një sërë sfidash, më urgjentja, menaxhimi i likuiditetit të qeverisë federale, pasi qeveria arriti kufirin ligjor të borxhit në ditën e dytë të Trump-it në detyrë.
Edhe përpara se të bënte betimin, Departamenti i Thesarit po përdorte “masa të jashtëzakonshme” për të shmangur shkeljen e kufirit të borxhit dhe shkaktimin e një falimenti katastrofik. Bessent iu tha senatorëve se nuk do të kishte mospagim nën drejtimin e tij.
Sekretarit Bessent do t’i duhet të merret edhe me perspektivën e rritjes së deficiteve buxhetore dhe borxhit të shtuar të qeverisë që vlerësohet të arrijë në triliona dollarë, nëse rinovimi i uljes së taksave dhe lehtësimet e tjera të premtuara tatimore nuk mund të kompensohen nga rritja e të ardhurave ose shkurtimet e shpenzimeve. Nëse vazhdon precedenti i deritanishëm, ai do të jetë një aktor qendror që do të punojë me Kongresin për përmasat dhe trajtën e reformave tatimore.