Senati Amerikan konfirmoi të emëruarin e presidentit Donald Trump për postin e Sekretarit të Brendshëm, ish-guvernatorin e Dakotës së Veriut Doug Burgum, me 79 vota pro dhe 18 kundër. 68 vjeçari Burgum do të drejtojë një agjenci që menaxhon përdorimin e 202 milion hektarëve tokë federale dhe fisnore, një e pesta e sipërfaqes së vendit.
Ai pritet të ndjekë synimin e presidentit Trump për të rritur prodhimin e energjisë dhe mineraleve në tokat publike, që ka të ngjarë të shtojë liçencat e reja në shtetet prodhuese të naftës si Wyoming e New Mexico dhe në Gjirin e Amerikës, siç e ka riemëruar Trump-i, Gjirin e Meksikës.
Një ish-ekzekutiv i pasur programesh kompjuterike, Burgum e ka portretizuar veten si një konservator tradicional, i prirur nga biznesi. Gjatë seancës për konfirmimin e tij, vuri në dukje se do të zgjerojë të drejtat për shpimin e naftës dhe gazit dhe do të mbështesë reformat që mund të shpejtojnë zhvillimin e projekteve energjetike.
Komentet e tij sinjalizuan një kthesë të mprehtë në politikën federale pasi administrata e ish-presidentit demokrat Joe Biden u përpoq që të kufizonte shpimet e naftës dhe gazit në tokat federale, si dhe të nxiste burimet e ripërtëritshme të energjisë si era e dielli, si pjesë e programit të saj për ndryshimet klimatike.
Doug Burgum pati kandiduar kundër Donald Trump-it në lidhje me emërimin e republikanëve, përpara se të dilte nga gara duke shprehur mbështetjen për Trump-in. Emri i tij po konsiderohet gjithashtu si kreu i një këshilli të ri kombëtar për të koordinuar politikat, me qëllimin për të rritur prodhimin e energjisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.