Rajoni

Serbia merr paratë e para nga Plani i Rritjes!

Ministri serb i Financave, Sinisha Mali, njoftoi se Serbisë i janë transferuar paratë e para nga Bashkimi Europian, në shumën 51.66 milion eurosh, në kuadër të para-financimit nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Kjo përfaqëson mbështetje të drejtpërdrejtë buxhetore dhe njëkohësisht shërben si konfirmim i përkushtimit të Serbisë për vazhdimin e reformave dhe rrugëtimit europian të shtetit, tha Mali në një njoftim me shkrim.

Në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor përfshihet para-financimi në vlerën 7% të shumës totale të mjeteve për secilin përfitues. Pjesa tjetër e pagesës, në shumën 59 milion euro, është e destinuar për projekte brenda Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor, u theksua në njoftimin e Ministrisë së Financave të Serbisë.

Një ditë më parë, BE-ja deklaroi se pjesa e parë e mjeteve nga Plani i Rritjes do t’i transferoheshin Serbisë. Mali rikujtoi se në maj, Serbia është bërë zyrtarisht pjesë e zonës së pagesave me euro (SEPA), gjë që sipas tij përbën “një hap të rëndësishëm në integrimin financiar dhe europian” të vendit.

Falë kësaj, qytetarët do të mund të kryejnë shumë më shpejt dhe me më pak kosto, transaksionet në euro me vendet anëtare të SEPA-s, të cilat ndër të tjera, përfshijnë të gjitha vendet anëtare të BE-së, vuri në dukje Mali.

Më herët, Komisioni Europian ka shpërndarë për Maqedoninë e Veriut, 24.4 milion euro në mars, Shqipërinë 30 milion euro po në mars dhe Malin e Zi, 12.5 milion euro në maj.

Në fund të vitit 2023, Komisioni Europian miratoi Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, me synim forcimin e procesit të afrimit të rajonit me BE-në, përmes përfshirjes graduale në politika, programe dhe përfitime të caktuara të anëtarësimit, që në fazën përgatitore para anëtarësimit zyrtar.

Pagesat janë të kushtëzuara me përmbushjen e reformave të përcaktuara në Axhendat e Reformës, të cilat janë hartuar nga përfituesit.