Tech Top Tech - News

Serverat e inteligjencës artificiale po zhvendosen në det sepse…

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

Në këtë pikë, teknologjia ka vendosur që toka nuk mjafton më.
Data center-at po ikin në det.

Po, një startup amerikan i quajtur Panthalassa po ndërton data center-a lundrues që furnizohen nga dallgët e oqeanit. Pra imagjino serverat e AI-së duke bërë surf ndërkohë që ChatGPT të përgjigjet:
“Ka pak vonesë sot, se ka det me dallgë.”

Platforma quhet Ocean-3 dhe ideja është komplet futuristike: një strukturë gjigante që noton në oqean, prodhon energji nga lëvizja e valëve dhe ushqen një data center për inteligjencë artificiale. Pa kabllo, pa lidhje me tokën, pa spirancë. Vetëm ujë, satelitë dhe shumë besim te moti.

Sipas kompanisë, energjia mund të kushtojë vetëm 2 cent për kilovat. Domethënë AI po shkon drejt fazës ku do konsumojë më pak energji sesa kondicioneri i atij lokalit që e mban në 16 gradë edhe në janar.

Dhe sinqerisht, kjo po ndodh sepse AI po ha energji si i çmendur. Çdo chatbot, çdo “më bëj CV-në më profesionale” po djeg servera natë e ditë. Kështu që Silicon Valley ka parë oqeanin dhe ka thënë:
“Hmmm… po sikur ta kthenim Atlantikun në karikues?”

Kompania thotë se shumë platforma mund të lidhen bashkë dhe të funksionojnë si një mega data center në det. Pra praktikisht po afrohemi drejt momentit kur do kemi “server farms”… që janë realisht ferma në mes të oqeanit.

Por ka edhe probleme të vogla. Shumë të vogla. Si uraganet. Kripa. Dallgët gjigante. Ndryshku. Dhe fakti që interneti do transmetohet me satelit. Pra nëse deti acarohet, AI mund të të përgjigjet me buffering.

Megjithatë, ideja po merr investime serioze dhe kompania ka ish-punonjës të SpaceX dhe Tesla.

Në këtë ritëm, pas 5 vitesh do kemi: makina autonome, syze me AI, robotë në shtëpi… dhe servera që notojnë në Paqësor si balena teknologjike që përpunojnë meme 24 orë në ditë.