Sfida e bisedimeve të sotme në Londër mes udhëheqësve europianë, pas debatit të fortë Trump-Zelensky në Shtëpinë e Bardhë, është që të arrihet diçka më e prekshme dhe më e madhe. E jo vetëm kjo. Tashmë, disa udhëheqës europianë po shkojnë përtej asaj që vetëm të dëshmojnë vlerën e tyre për Uashingtonin. Në vend të kësaj, ata po përgatiten për skenarë të mundshëm ku nuk do të mund të vareshin nga ombrella e sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Fituesi i zgjedhjeve të fundit parlamentare në Gjermani, Friedrich Merz, i cili synon postin e kancelarit, deklaroi një javë më parë se Europa duhet që të “pavarësohet” nga Shtetet e Bashkuara.
Pas vizitës së Zelensky-t në Uashington, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha se do të mbështeste masa për të ndihmuar Ukrainën që “t’i bëjë ballë agresionit të Rusisë edhe nëse Shtetet e Bashkuara tërheqin mbështetjen e tyre”.
Ky është një test historik për Europën, u shpreh kryeministri çek, Petr Fiala, një ditë më parë. Sipas tij, Europa duhet që të kujdeset lidhur me sigurinë e saj.
Më vonë gjatë ditës së sotme, Zelensky do të takohet me Mbretin Charles III. Edhe pse monarku britanik ka vetëm një rol simbolik, takimi do të shërbejë gjithashtu për të dërguar një mesazh politik drejt Uashingtonit. Ftesa e Starmer-it për Trump-in nga Mbreti Charles për një vizitë të dytë shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar u pa gjerësisht si një moment kyç gjatë vizitës së kryeministrit britanik në Uashington më 27 shkurt.
Takimi me Charles-in, për presidentin Zelensky vë në pah mbështetjen e Britanisë për të, si dhe dëshirën e Londrës për të vepruar si një urë e paqebërëse mes Uashingtonit dhe Kievit.