Gossip Showbiz

Sharon Stone kundër censurës dhe frikës nga plakja: “Duhet të festojmë trupin dhe identitetin tonë”

Aktorja e njohur Sharon Stone ka reaguar publikisht kundër censurës, duke mbrojtur plakjen dhe nuditetin përmes një serie videosh të publikuara në rrjetet sociale, pas një incidenti gjatë xhirimeve në studion e saj në Los Angeles.

Ylli 67-vjeçar tregoi se një ekip filmik i kërkoi të hiqte nga kuadri një pikturë me akt femëror, gjë që e shtyu të shprehë qëndrimin e saj për pranimin e trupit dhe identitetit njerëzor.

A duhet të tmerrohemi kur shohim veten në pasqyrë? Pse duhet të kemi frikë nga ajo që jemi si qenie njerëzore?

-u shpreh aktorja, duke theksuar se secili duhet të ndihet i lirë në trupin e tij.

Në përshkrimin e postimit, ajo ngriti pyetjen pse në vitin 2026 shoqëria ende ka frikë nga plakja dhe nga të jetuarit në lëkurën e vet, duke theksuar se njerëzit janë shumë më tepër sesa pamja e jashtme dhe mbajnë role të shumta në shoqëri.

Piktura që nxiti debat, të cilën Stone e quan “Perëndesha”, paraqet një figurë femërore nudo. Duke kritikuar standardet e dyfishta, ajo deklaroi se shoqëria shpesh frikësohet nga nuditeti, ndërsa toleron dhunën dhe përmbajtje të tjera negative në përditshmëri. Në një video tjetër, aktorja ftoi publikun të festojë trupin e femrës, duke e cilësuar atë simbol të krijimit dhe jetës.

Qëndrimi i saj mori mbështetje edhe nga figura të njohura si Courtney Love dhe Debi Mazar.

Kjo nuk është hera e parë që Stone flet për frikën shoqërore ndaj plakjes. Në një intervistë për The Sunday Times në vitin 2025, ajo e cilësoi plakjen një “shenjë nderi”, duke theksuar se ndihet me fat që është gjallë dhe e shëndetshme.

Aktorja iu përkushtua artit pamor gjatë pandemisë dhe që atëherë ka mbajtur ekspozita personale në Connecticut, San Francisco dhe Berlin, ndërsa seria e saj më e fundit trajton temat e humbjes dhe çlirimit.

Në të njëjtën kohë, Stone pritet të rikthehet në ekran me një rol në sezonin e tretë të serialit Euphoria, premiera e të cilit është paralajmëruar për 12 prill në HBO.