Shtetet e Bashkuara të Amerikës tërhiqen zyrtarisht nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH. Lajmin e njoftoi Shtëpia e Bardhë, duke bërë me dije se nga sot, nuk janë më pjesë e kësaj organizate.
NGA SOT: Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Kjo përmbush angazhimin e Presidentit Trump sipas një urdhri ekzekutiv të nënshkruar një vit më parë, pas keqmenaxhimit të COVID-19 nga OBSH-ja dhe mungesës së vazhdueshme të reformës, llogaridhënies e transparencës, thuhet në njoftim.
Trump u përpoq të largohej nga OBSH-ja që gjatë mandatit të parë e më vonë, në ditën e parë të mandatit të dytë, informoi se SHBA-të do të largoheshin. Sipas ligjit, SHBA-të duhet t’i japin OBSH-së një njoftim 1-vjeçar e të paguajnë të gjitha tarifat e papaguara para largimit.
Ende Amerika i detyrohet OBSH-së rreth 260 milion dollarë, por ekspertët ligjorë thanë se nuk ka gjasa që Uashingtoni të paguajë dhe OBSH-ja ka pak mundësi për rekurs.
Në një dokument të lëshuar dje, Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore deklaroi se qeveria ka përfunduar kontributet financiare për agjencinë. Trump kishte ushtruar autoritetin presidencial për të ndaluar transferimin e ardhshëm të çdo burimi të qeverisë amerikane te OBSH-ja, sepse organizata i kishte kushtuar amerikanëve triliona dollarë.
Flamuri amerikan është hequr nga jashtë selisë së OBSH-së në Gjenevë. Në javët e fundit, SHBA-të kanë ndërmarrë hapa për t’u larguar nga një numër organizatash të tjera të Kombeve të Bashkuara dhe disa kanë frikë se Bordi i Paqes i krijuar prej tij, mund të minojë OKB-në në tërësi.
Disa kritikë të OBSH-së kanë propozuar edhe krijimin e një agjencie të re për të zëvendësuar organizatën, megjithëse një dokument propozimi i shqyrtuar nga administrata Trump vitin e kaluar, në vend të kësaj, sugjeroi shtytjen e SHBA-ve për reforma dhe udhëheqjen amerikane në OBSH.