Politikë

Votimi për Bordin e Paqes në Kuvend/ Bardhi: Rama e braktisi, përdori marrëveshjen për sulme politike ndaj opozitës!

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka braktisur votimin për marrëveshjen e Bordit të Paqes gjatë seancës së sotme në Kuvend.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Bardhi thekson se kush beson realisht te një marrëveshje dhe te arkitekti i saj, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, nuk largohet nga salla e Kuvendit pa votuar.

Sipas tij, kryeministri e përdori marrëveshjen si instrument për sulme politike ndaj opozitës dhe për të krijuar përplasje me drejtësinë.

“Kush beson vërtet te një marrëveshje dhe te arkitekti i saj, ?? Presidenti Trump, nuk braktis votimin. Edi Rama e bëri. Ai nuk e votoi marrëveshjen! Iku nga seanca pa asnjë arsye shtetërore. Sepse Edi Rama jo vetëm që nuk e sheh dot me sy Donald Trump, por i duhej vetëm skena politike për të mbuluar dështimin e tij spektakolar me mungesën në Davos.

Rama e përdori marrëveshjen e Bordit të Paqes si skenë të urrejtjes politike kundër opozitës dhe si moment për të goditur dhe për tu dukur i fortë kundër SPAK-ut. U rreshtua si avokat i Erion Veliajt, Belinda Ballukut dhe Ergys Agasit, por jo si një shtetar i përgjegjshëm.

Ne ia dogjëm skemën perverse antiopozitë Edi Ramës. Ne e votuam me besim marrëveshjen dhe partneritetin me Presidentin e SHBA-së. Ai u zhduk nga Parlamenti pa votuar. Vullneti i vërtetë politik matet me votë, jo me fjalime patetike!”, shkruan Bardhi.

Partia Demokratike kundërshtoi vendosjen e emrit të kryeministrit Edi Rama në titull të marrëveshjes si përfaqësues nominal i shtetit në Bordin e Paqes dhe propozoi që Shqipëria të përfaqësohet nga Presidenti i Republikës ose, me autorizim të tij, nga Kryeministri.

Por ky amendim i propozuar nga kreu u grupit të PD, Gazment Bardhi u rrëzua me 79 vota kundër, 30 vota pro opozita dhe 0 abstenim.

Në fjalën e tij, teksa prezantoi amendimin, Bardhi akuzoi Ramën se po e përdor për hallin e tij personal këtë iniciativë globale të presidentit amerikan. Bardhi tha se nuk ishte Donald Trump ai që përzgjodhi që Shqipëria të përfaqësohej nga Edi Rama në këtë iniciativë, por e përzgjodhi ushtari i tij, Begaj.