Bota

Shefi i NATO-s: Të rriten shpenzimet e mbrojtjes, të garantojmë siguri!

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte u bëri thirrje vendeve anëtare të NATO-s të rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes mbi 2% të PBB-së së tyre, një shifër e vendosur një dekadë më parë që tani shihet nga disa si shumë e ulët për shkak të sfidave të paraqitura nga Rusia.

Rutte zhvilloi një takim me presidentin portugez, Luis Montenegro në Lisbonë, i cili përsëriti angazhimin e Portugalisë për të përmbushur objektivin prej 2% deri në vitin 2029. Në vitin 2023, Portugalia shpenzoi 1.5% të PBB-së së saj për mbrojtje.

“Ne e dimë se objektivi prej 2%, i cili është vendosur për një dekadë, nuk do të jetë i mjaftueshëm për të përballuar sfidat e së nesërmes. Për ta mbajtur NATO-n të fortë, ne duhet të vazhdojmë të përshtatemi dhe për të garantuar sigurinë tonë në të ardhmen, ne duhet të shtojmë përpjekjet tona sot. Kjo do të thotë që ne duhet të shpenzojmë më shumë për mbrojtjen tonë”, theksoi Rutte.

Rutte, tha se një fitore e Rusisë kundër Ukrainës do ta minonte fuqinë parandaluese të aleancës më të madhe ushtarake në botë dhe do t’i kushtonte asaj triliona euro për ta rikthyer besueshmërinë.

NATO-ja është duke e rritur praninë përgjatë krahut lindor me Rusinë, Bjellorusinë dhe Ukrainës, pasi ka dërguar atje mijëra trupa dhe pajisje për ta frenuar Moskën nga përhapje e luftës së saj edhe në territoret e ndonjërit prej 32 anëtarëve të aleancës.

 “Nëse Ukraina humb, atëherë për ta rikthyer fuqinë frenuese të pjesës tjetër të NATO-s, çmimi do të jetë shumë, shumë më i lartë sesa ai që po e shqyrtojmë në këtë kohë në lidhje me rritjen e shpenzimeve dhe të prodhimit tonë industrial”, tha Rutte.