Komuniteti ndërkombëtar bëri thirrje për hetim të çdo shkeljeje të ligjit lidhur me shënimin e ditës jokushtetuese të Republikës Sërpska, më 9 janar. Ceremonia nis në orën 17:00, në Banjalukë. Autoritetet e entitetit të Republikës Sërpska festojnë 9 janarin, datën kur në vitin 1992, në Sarajevë, Kuvendi i atëhershëm miratoi Deklaratën për Shpalljen e Republikës së Popullit Serb si një entitet i pavarur brenda Bosnjës. Tri herë, Gjykata Kushtetuese e ka shpallur “antikushtetues” kremtimin e 9 janarit si Ditën e Republikës Sërpska.
Qëllimi i asaj kohe ishte që ky territor i Bosnjës të bashkohej me Jugosllavinë që po shpërbëhej. Në krye ishin Radovan Karaxhiç, Bilana Plavshiç e Momçilo Krajishnik, të dënuar për krime lufte nga Gjykata e Hagës. Në miratimin e dokumentit nuk morën pjesë përfaqësuesit e boshnjakëve dhe kroatëve.
Këta dy popuj e shohin 9 janarin si fillimin e luftës në Bosnjë-Hercegovinë e si fillimin e spastrimit etnik, krimeve të luftës dhe gjenocidit ndaj popullsisë joserbe në territorin e Republikës Sërpska.
Shtetet e Bashkuara presin që organet e zbatimit të ligjit dhe ato gjyqësore në Bosnjë, të ndërmarrin hapa të shpejtë dhe vendimtarë për të hetuar çdo shkelje ligjore në lidhje me kremtimin e ditës antikushtetuese të Republikës Sërpska më 9 janar, njoftoi Ambasada amerikane përmes një postimi në X.
Të gjitha entitetet duhet t’iu përmbahen plotësisht vendimeve të institucioneve të Bosnjës, përfshirë atyre përfundimtare e detyruese të Gjykatës Kushtetuese. Mosrespektimi përbën vepër penale sipas Kodit Penal të Bosnjës.
Delegacioni i Bashkimit Europian iu bëri thirrje liderëve politikë, të refuzojnë retorikën provokuese, përfshirë sfidimin e sovranitetit, integritetit territorial dhe tërësisë së vendit.
BE-ja thekson detyrimin për të respektuar sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues, përfshirë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, si dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Bosnjës.
Përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë, Christian Schmidt, kujtoi se kremtimi i 9 janarit si Dita e Republikës Sërpska është një “shkelje e qartë dhe e drejtpërdrejtë e zbatimit të vendimeve përfundimtare e detyruese të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës, si dhe vendimeve të përfaqësuesit të lartë, të 1 korrikut 2023”.
Mosrespektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese mund të përbëjë vepër penale, sipas Kodit Penal të Bosnjë- Hercegovinës. Eshtë përgjegjësi e organeve të zbatimit të ligjit, Prokurorisë së Bosnjës dhe Policisë, që të ndërmarrin masat e përcaktuara me ligj, veçanërisht në rastet që lidhen me zyrtarët publikë e nëpunësit civilë, si dhe pjesëmarrjen e tyre në përgatitjen apo organizimin e kremtimit të 9 janarit.
Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës nuk ka kundërshtuar të drejtën që Republika Sërpska të ketë një ditë të saj, por ka konstatuar se “Dita e Republikës Sërpska” nuk mund të jetë 9 janari, datë që përkon me ngjarjet e ndodhura në Sarajevë më 1992.
Ndërkohë, Bashkimi Europian i bëri thirrje Serbisë që të jetë njësoj e përkushtuar ndaj perspektivës europiane të Bosnjës, si një vend i unifikuar, i bashkuar dhe sovran, ashtu si të gjithë partnerët e tjerë ndërkombëtarë.
Me rastin e pjesëmarrjes së përfaqësuesve të institucioneve shtetërore të Republikës së Serbisë në kremtimin e ditës antikushtetuese të Republikës Sërpska, nga Brukseli u tha se bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë një pjesë thelbësore e përparimit drejt integrimit europian.
Duhet të shmangen veprimet dhe deklaratat që ndikojnë negativisht në marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe kontribuojnë në ndarjet politike, u tha në përgjigjen me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë nga zyra për media e BE-së.
Përfaqësuesit nga Serbia marrin pjesë rregullisht në kremtimin e kësaj dite në Republikën Sërpska.