Aktualitet Sociale

Shërbimet arsimore kryesuan rritjen e shpenzimeve të familjeve shqiptare në vitet ’95-2023!

Nga 12 grupet kryesore të konsumit të familjeve shqiptare, shërbimet arsimore rezultojnë me rritjen më të madhe të shpenzimeve përgjatë tre dekadave të fundit sipas të dhënave zyrtare të INSTAT-it. Për shërbimet arsimore, më 1995-ën, të gjitha familjet shqiptare shpenzuan vetëm 1,6 miliardë lekë. Në vitin 2023, këto shpenzime të paindeksuara me inflacionin arritën në 32,4 miliardë lekë, me rritje 1855%.

Teksa numri i fëmijëve ishte në rënie, shpenzimet e familjeve erdhën në rritje për shkak se në dekadën e dytë të tranzicionit, shërbimet arsimore u diversifikuan. Deri në vitin 1995, shteti ishte ofruesi i vetëm i shërbimit arsimor dhe familjet zakonisht harxhonin nga të ardhurat e tyre vetëm për mjete shkollore.

Me liberalizimin e ekonomisë dhe lëvizjet demografike, nisën të zhvillohen me shpejtësi ofruesit privatë të çerdheve e të kopshteve. Në mes të viteve 2000, nisën të funksionojnë universitetet private dhe dhjetëra shkolla të arsimit para-universitar në privat.

Zhvillimi i arsimit privat dhe vënia e tarifave në arsimin e lartë publik i kanë rritur ndjeshëm shpenzimet e familjeve për arsimin përgjatë viteve.

Të dhënat zyrtare tregojnë se vitet e fundit, shpenzimet e familjeve shqiptare kanë pësuar rritje më të fortë. Sipas INSTAT-it, në vitin 2022, shpenzimet vjetore të familjeve shqiptare për arsimin u rritën me 17.5% në krahasim me vitin 2021 dhe në vitin 2023 u rritën me rreth 8%.  Burimet nga tregu kanë pohuar se ritmet e rritjes së çmimeve në shërbimet arsimore kanë qenë të larta edhe më 2024-ën, çka do të reflektohen në shpenzimet e familjeve.

Ndërsa numri i studentëve dhe nxënësve, në tërësi po ulet prej rënies së popullsisë së të rinjve, institucionet private të arsimit të lartë po presin gjithnjë e më shumë studentë. Referuar të dhënave zyrtare në vitin 2016, në arsimin e lartë privat, kishte 25 mijë e 514 studentë, të cilët përbënin 17.3% të totalit të studentëve. Vitin e kaluar, numri i tyre arriti në 32,3 mijë ose 27,6% e totalit të studentëve.

Tregu i arsimit të lartë privat në vitin 2022 arriti në rreth 65 milion euro. Në total, familjet shqiptare shpenzuan më 2023-shin për shërbimet arsimore, një vlerë të përafërt me 324 milion euro.