E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë Anxhela Panxhi, eksperte e bio-kozmetikës. Ajo ka folur më shumë për kujdesin ndaj lëkurës, sidomos gjatë sezonit të verës…
Ka një kuriozitet të madh lidhur me vajin e farës së zezë, për të cilin thuhet se shëron çdo gjë përveç vdekjes. Çfarë mund të thuash për këtë?
Është një ndër ato ushqime që me studimet shkencore, konfirmojnë atë që kulturat myslimane e kanë aplikuar, dhe jo vetëm myslimane, aty ku rritet fare e zezë. Thjesht konfirmojnë vlerat e saj ushqimore. Gama e benefiteve që ka ky vaj, është shumë e gjerë. Kam dëgjuar që e marrin për diabetin, për rikuperimin e sistemit të mikrobiomës së zorrëve, e marrin për fëmijët të cilët kanë mungesë oreksi, e marrin për rigjenerimin e lëkurës së brendshme. Pra, diapazoni i përdorimit është shumë i madh dhe është kjo shprehja, që zgjidh çdo gjë përveç vdekjes. Unë e përdor herë pas here. Unë vetë, atë si vaj e hedh nëpër sallatra, e preferoj edhe si vaj esëll, ia jap fëmijëve esëll nëse kanë ndonjë problem me aneminë, sepse ndihmon organizmin tek përthithja e hekurit. Përveç se ka të gjithë nutrientët e tjerë, ka omega, ka vitamina, ka shumë vlera. Por nuk është një vaj që ne e kemi përdorur historikisht dhe të jetë pjesë e kulturës sonë, ashtu siç është pjesë e vendeve myslimane, të cilat mund të kenë dhe mënyra të ndryshme të aplikimit të vajit, së jashtmi ose së brendshmi, ose në receta të ndryshme.