Arrestohet në flagrancë 28-vjeçari Fatjon Spaho dhe shpallet në kërkim shtetasja me kombësi kineze Fengmei Gong, të cilët kishin përshtatur një apartament në qytetin e Vlorës, për zhvillimin e kësaj veprimtarie kriminale. Procedohen penalisht edhe 3 shtetase të huaja që ushtronin prostitucion kundrejt pagesës.
Njoftimi i policise:
DVP Vlorë/Finalizohet operacioni policor “Secret Flat”, goditet një rast i shfrytëzimit të prostitucionit me shtetase të huaja.
Arrestohet në flagrancë një 28-vjeçar dhe shpallet në kërkim një shtetase me kombësi kineze, të cilët kishin përshtatur një apartament në qytetin e Vlorës, për zhvillimin e kësaj veprimtarie kriminale.
Procedohen penalisht edhe 3 shtetase të huaja që ushtronin prostitucion kundrejt pagesës.
Në bazë të kontrolleve të mbështetura në informacionet e inteligjencës policore, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të dhënies me qira të ambienteve për ushtrim prostitucioni, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të DVP Vlorë kanë zhvilluar planin operacional policor të koduar “Secret Flat”, si rezultat i të cilit u godit një tjetër rast në këtë fushë.
Gjatë operacionit, u arrestua në flagrancë, për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur” dhe “Shfrytëzimi për prostitucion”, të kryera në bashkëpunim, shtetasi F. S., 28 vjeç, banues në Tiranë. Po për të njëjtat vepra penale, u shpall në kërkim edhe shtetasja F. G., 51 vjeçe, me kombësi kineze.
Nga hetimet rezultoi se këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin marrë me qira një apartament në lagjen “10 Korriku”, të cilin e kishin përshtatur për zhvillimin e aktivitetit të paligjshëm të prostitucionit.
Në këtë ambient, ata shfrytëzonin për prostitucion kundrejt pagesës tre shtetase të huaja me kombësi kineze, të cilave u kishin ofruar strehim dhe u siguronin klientët për ushtrimin e kësaj veprimtarie të paligjshme.