Aktualitet

Shiste drogë në lokal, arrestohet 49-vjeçari në Pogradec/Procedohet penalisht 1 i mitur!

Në Pogradec, një 49-vjeçar u arrestua, i akuzuar për shitje droge në lokalin e tij. Po ashtu, u procedua penalisht dhe një 15-vjeçar, i cili kishte blerë një sasi me lëndë narkotike nga pronari i këtij lokali. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm në Korçë, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Veprimtaria”.

Shiste lëndë narkotike në lokalin e tij, kapet dhe vihet në pranga 49-vjeçari.

Procedohet penalisht dhe një 15-vjeçar, i cili kishte blerë, një sasi me lëndë narkotike, tek pronari i lokalit.

Sekuestrohen një sasi me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, 3 celularë dhe një sasi lekësh.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Korçë, në zbatim të planit të masave të hartuar për vitin 2026, me objektiv parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative për një shtetas që shiste lëndë narkotike në lokalin e tij në Pogradec, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Veprimtaria”.

Në kuadër të operacionit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit K.S., 49 vjeç, banues në fshatin Buçimas, Pogradec.

Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e këtij shtetasi në lagjen nr. 1, Pogradec, iu gjet dhe sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, një sasi me lëndë narkotike cannabis sativa. Gjithashtu u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal edhe për një 15-vjeçar, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjet një sasi e vogël me lëndë të dyshuar cannabis, të cilën ia kishte shitur shtetasi K. S.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestra një sasi me lëndë narkotike, 3 celularë dhe një sasi lekësh.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.