Bota

Shiten me çmimin marramendës këpucët e famshme të Winston Churchill!

Një palë këpucë kadife që i përkisnin Sir Winston Churchill janë shitur për gati 40 mijë paund në ankand. Këpucët, të cilat kanë inicialet e tij WSC datojnë që nga vitet 1950 dhe iu shitën një blerësi privat. Churchill u fotografua rregullisht duke i veshur ato gjatë mandatit të tij si kryeministër nga viti 1951 deri më 1955.

Padyshim që këpucët do të merrnin vëmendjen që u takonte si këpucët e njërit prej njerëzve më me ndikim në botë, por as vetë drejtuesit e shtëpisë së ankandeve Bellmans të Sussex nuk e prisnin një shifër të tillë.

Ata ishin të bindur se këpucët e Winston Churchill do të jepeshin maksimumi për 15 mijë dollarë, por ato i kapërcyen parashikimet. Kujtojmë se Winston Churchill, ishte politikan britanik i njohur kryesisht për drejtimin e Britanisë së Madhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai shërbeu si kryeministër i Britanisë së Madhe prej viteve 1940-1945 dhe përsëri prej viteve 1951-1955. Një burrë shteti dhe një orator i njohur, Churchill ishte edhe oficer në ushtrinë britanike, historian, fitues i Nobelit për letërsi.

Gjatë karrierës së tij në ushtri, Churchill luftoi në Indi, në Sudan, etj. Mori famë të mirë si korrespondent lufte dhe shkroi libra ne lidhje me fushatat e tij ushtarake. Shërbeu në ushtri, në Frontin Perëndimor në Luftën e Parë Botërore, duke komanduar batalionin e gjashtë të Pushkatarëve Mbretëror Skocez. Në krye të skenës politike për rreth 50 vite, ai pati shumë pozita politike dhe në kabinet.