Këshilli i Ministrave do të mblidhet të enjten (25 shtator) në orën 12:00 ku pritet të vendosë për shkarkimin e Erion Veliajt.
Një ditë më parë, Këshilli Bashkiak i Tiranës votoi me 50 vota për shkarkimin e Veliajt.
Pas këtij vendim, sot Prefekti i Tiranës i përcolli këtë vendim Qeverisë Shqiptare.
Sipas ligjit, është qeveria ajo që vendos përfundimisht këtë proces.
Për këtë arsye, do të duhet të merret vendimi nesër nga Këshilli i Ministrave për shkarkimin përfundimtar të Erion Veliajt, me motivacionin që nuk është paraqitur në detyrë prej 3 muajsh.
Por i gjithë ky proces pezullohet nëse Erion Veliaj e dërgon në Kushtetuese vendimin për shkarkimin e tij.
Një ditë më parë Këshilli Bashkiak i Tiranës mblodhi 3 kërkesat e PS, PD dhe këshilltarit Endri Shabani për shkarkimin e Erion Veliajt dhe i votoi me 50 vota pro si një e vetme.
Por, Veliaj, ka lënë të kuptohet qartë se procesin e nisur ndaj tij e sheh si në shkelje të ligjit. Ai ka një mundësi të fundit, të ankohet në Gjykatën Kushtetuese. Neni 115 Kushtetutës, parashikon që në rast ankimimi brenda 15 ditësh, vendimi i Këshillit të Ministrave pezullohet. Për pasojë do të bllokohej edhe procesi zgjedhor për pasuesin e Veliajt.
Pikërisht, me fokusin tek zgjedhjet parakohshme që pritet të mbahen në Tiranë, kryesocialisti Edi Rama mbajti një takim prej më shumë se dy orësh në kryeministri me nënkryetarët e Bashkisë së Tiranës dhe me Ogerta Manastirliun, kandidaten e PS-së. E pranishme ishte edhe kryetarja e komanduar Anuela Ristani, e cila e la takimin një orë më herët se të tjerët.
Pasdite, në orën 18:00, Rama do të mbledhë në një takim edhe ministrat si dhe deputetët e qarkut të Tiranës, i cili do të mbahet në parkun “Eden” në kryeministri. Burime për gazetaren e Report TV, Raziela Myslimaj bëjnë me dije se në fokus të diskutime do të jenë zgjedhjet në bashkinë e Tiranës dhe mbështetja për Manastirliun.