I ftuar në këtë episod të fundit të “Lancio” me Erma Micin dhe Sofi Kotepano ka qenë Shpat Deda. Së fundmi ka sjellë albumin e tij më të ri EP në një zhaner të ri siç është Neo Soul. Shpati ka treguar se si lindi ideja për të bërë një album në këtë zhaner muzikor dhe përse zgjodhi këtë formë për të prezantuar projektin e tij…
Kënga qe ke në bashkëpunim me “The Private Jets” dhe që momentalisht ndodhet në The Top List, është një lloj homazhi apo tributi ndaj bandës “Blla Blla Blla” që origjinalisht e ka krijuar. Çfarë rëndësie mban për ty kjo këngë që të të ngjallte dëshiren për të bëre një variant tëndin?
Nuk është vetëm kjo këngë, por është edhe band-i “Blla Blla Blla” që për mua është një band shumë i bukur që e kam ndjekur prej kohësh, qëkur kam qenë i ri. Është një ndër band-et që m’i ka dhënë emocionet e para live, është një band që këndon shqip me një energji të shfrenuar live, me një prezencë shumë të fortë, me një performancë fantastike dhe me këngë shumë të bukura. Gjithmonë më ka lënë përshtypje dhe kjo këngë në veçanti më ka pëlqyer shumë. E kam ditur që kam për të bërë një version, por nuk ma ka marrë mendja që kam për të bërë këtë EP (album). Sepse nuk e kam ditur se si ky zhaner Neo Soul mund t’i përshtatej, kam vendosur ta provoj dhe e kam propozuar sepse siç thashë kemi qenë aty me të gjithë miqtë e mi. Na ka pëlqyer ideja shumë dhe jam i kënaqur me versionin që kemi krijuar. Por sidomos edhe me ‘shijen’ e veçantë që i jep trumpeta sepse kemi një trumpetist shumë të njohur që është Raynald Colom që na ka lumturuar shumë me pjesëmarrjen e tij.