Top Albania Radio Special

Shpat Deda rrëfen se si është takuar me trumpetistin Raynald Colom dhe si erdhi bashkëpunimi për albumin “Hajde n’Ballon”!

I ftuar në këtë episod tjetër të “Top Albania Radio Special” me Erma Micin dhe David Priftin ishte Shpat Deda i cili prezantoi projektin e tij më të fundit duke treguar edhe se si erdhi ideja për këtë album. Një “EP” me 5 këngë që titullohet “Hajde n’Ballon”…

Tani arrijmë tek pika më e rëndësishme që janë muzikantët pjesëmarrës në këtë Live EP që në një formë ose tjetrën janë edhe bashkëkrijues të këtyre këngëve me mua. Sepse është krijuar një hapsirë ku secili ka dhënë ide në çdo këngë dhe nuk dihet se si kemi arritur në fund të asaj kënge. Kjo ka qenë një punë shumë e bukur por duhet t’i përmendim, siç është edhe Nesim Haxhuni me të cilin kam prej 18 viteve që bëj muzikë dhe në këtë album ka pasur një performancë kulmore si baterist. Gjithashtu ka shkëlqyer edhe njohuria e tij e thellë për muzikën “Neo Soul” por edhe kontributet e tij në disa këngë të caktuara si bashkë- kompozitor, bashkëproducent me mua. Jeton Dolaku që i i bie pianos gjithashtu si njohës i rrymës së “Neo Soul” me instrumentet si tupanat edhe klaviatura që janë shumë të rëndësishme në këtë muzikë, që kështu të dy këta kanë qenë shumë të rëndësishëm. Fatlind Ferati i cili i bie basit dhe i cili ka sjellë ide për disa këngë në këtë album edhe janë trajtuar nga i gjithë ekipi por ka qenë i rëndësishëm sidomos në atë fillim kjo energjia e tij dhe dëshira e tij që të sjelli material, kjo spikatet si një këngë me shpresë sepse fillon me një vijë të basit të cilin e ka bërë Fatlindi dhe mua më ka prekur shumë. Ka qenë diçka shumë e pastër dhe kam ndjerë një energji shumë të pastër. Kjo energji më ka shtyrë edhe mua që të ‘nxjerrë’ zërin dhe të shkruaj tekstin për atë këngë. Më pas është Art Lokaj me kitare elektrike i cili është kantautor që në këtë album e ka bërë një performancë fantastike. Në fund vjen edhe Raynald Colom që është një trumpetist katalanas që jeton në Paris. Jemi takuar bashkë vjet gjatë Prishtina Fest jemi shoqëruar me të, shkëmbyem kontaktet dhe që në atë moment e kam pasur dëshirën që ta kem në një projekt. Më vonë e ftova për këtë regjistrim dhe ky është rezultati që ai e ka sjellë vetëm me trumpetën e tij.