Një grup të miturish që akuzohen se bënin shpërndarjen e drogës në qytetin e Kukësit është goditur sot pas një operacioni nga policia vendore.
Në pranga ranë dy prej tyre, njëri nga të cilët ishte pa patentë dhe drejtonte mjetin me të cilin transportohej edhe droga, kurse një i tretë u procedua penalisht si bashkëpunëtor.
“Njëri nga të arrestuarit u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar pa leje drejtimi, automjetin që përdorej për shitjen e lëndës narkotike. Sekuestrohen automjeti dhe një sasi lënde narkotike Cannabis Sativa që u gjet në bagazh”, bëri me dije policia vendore për rastin.
Njëri prej tyre iku me vrap kur pa efektivët që ndërhynë për aksion dhe kontroll.
“Në vijim të veprimeve për këtë rast u vunë në pranga 16-vjeçari që drejtonte automjetin, pa leje drejtimi, dhe shtetasi M. M., 22 vjeç (pronari i automjetit), si dhe nisi procedimi penal për 16-vjeçarin pasagjer në automjet, pasi nga hetimet dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shitnin lëndë narkotike, në doza, në qytetin e Kukësit. Punohet për identifikimin dhe kapjen e shtetasit që është larguar dhe për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale”, sqarohet në njoftimin zyrtar.
Njoftimi i Policisë së Kukësit:
“Në vijim të punës intensive të strukturave të DVP Kukës, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, janë kryer kontrolle në disa zona të qytetit dhe si rezultat është goditur një rast i shitjes së lëndëve narkotike.
Shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Ura e Hasit”, i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit tip “Seat”, me të cilin lëviznin 3 shtetas. Njëri nga këta shtetas është larguar me vrap, sapo ka konstatuar automjetin e Policisë.
Gjatë kontrollit në këtë automjet, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
Në vijim të veprimeve për këtë rast u vunë në pranga 16-vjeçari që drejtonte automjetin, pa leje drejtimi, dhe shtetasi M. M., 22 vjeç (pronari i automjetit), si dhe nisi procedimi penal për 16-vjeçarin pasagjer në automjet, pasi nga hetimet dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shitnin lëndë narkotike, në doza, në qytetin e Kukësit.
Punohet për identifikimin dhe kapjen e shtetasit që është larguar dhe për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme”.