Bota

Shpërthim i fuqishëm në një depozitë gazi e karburanti në Romë, 21 të plagosur!

Roma u trondit nga një shpërthim në një depo gazi dhe karburanti në Via dei Gordiani, në zonën Prenestino. U shkaktua një zjarr i madh dhe u ngrit një kolonë e trashë tymi, e dukshme nga pjesa më e madhe e qytetit. Një gjëmim i fortë u dëgjua në shumë lagje të kryeqytetit italian. Raportohen të paktën 21 të plagosur, mes tyre një zjarrfikës, 8 oficerë policie e një operator i 118-ës.

Por, bilanci i të lënduarve nuk është përfundimtar. Roma Today raporton:

Mes të plagosurve kishte kalimtarë rasti e disa njerëz që jetojnë në zonën e Via Romolo Balzanit, jo shumë larg vendit të shpërthimit. Rreth dyzet vetë u shpëtuan sepse ishin bllokuar në një ndërtesë të rrethuar nga flakët e përhapura.

Pesë të plagosur u transportuan në spital, asnjë nuk raportohet në gjendje të rëndë. Por kanë djegie dhe lëndime nga thyerja e xhamave. Në vendin e shpërthimit, përveç zjarrfikësve shkuan disa autoambulanca, policë e karabinierë.

Ndërhyrjet janë shumë të vështira sepse në zonë gjendet një depo me bombola oksigjeni. Shkaqet po hetohen, zona po sigurohet, referuar burimeve policore italiane.

Zyra e Prokurorit të Romës është duke pritur raportet e para nga zjarrfikësit dhe efektivët e policisë që ndërhynë për shpërthimin.

Lutem për njerëzit e përfshirë në shpërthimin në lagjen Prenestino Labicano në zemër të Dioqezës sime. Vazhdoj të ndjek me shqetësim zhvillimet e këtij aksidenti tragjik, shkroi Papa në X.

Banorët treguan:

Nëna ime ka një prerje në këmbë, dritaret janë thyer.

Kjo është historia e Claudias, e cila jeton pak larg vendit ku ndodhi shpërthimi në Romë, në Via dei Gordiani. Ndërkaq, një grua e identifikuar si Roberta zbulon se doli nga shtëpia “me pantofla”.

Dukej si një sulm.

Ndërkaq, Alessandro flet për “copa druri që fluturuan në shtëpi”. Disa banorë të zonës pretendojnë se kanë parë “njerëz të mbuluar me xhama në rrugë”.