Gjatë dimrit, dhimbja e fytit mbetet një nga shqetësimet më të zakonshme për shumë familje, duke i shtyrë njerëzit t’i drejtohen jo vetëm trajtimeve mjekësore, por edhe recetave tradicionale që përdoren prej brezash.
Një nga përzierjet më popullore në këtë periudhë është kombinimi me limon, mjaltë dhe xhenxhefil, i njohur për aromën e këndshme dhe efektin qetësues ndaj irritimit të fytit.
Përgatitja është e thjeshtë dhe kërkon vetëm një kavanoz qelqi të pastër, limon të prerë në feta, mjaltë natyral dhe xhenxhefil të freskët.
Feta e limonit vendosen në kavanoz, sipër shtohet mjaltë dhe, sipas dëshirës, copa të holla xhenxhefili. Pasi mbyllet mirë, përzierja futet në frigorifer dhe brenda pak ditësh merr një strukturë të trashë, të ngjashme me xhelatinën.
Kur përdoret, mjafton një lugë nga përzierja e hedhur në një filxhan me ujë të nxehtë, duke krijuar një çaj aromatik që shumë njerëz e konsumojnë për të qetësuar fytin apo thjesht për t’u ngrohur.
Kjo përzierje mund të ruhet deri në 2–3 muaj në frigorifer, për sa kohë mbahet në një enë hermetike.
Megjithatë, mjekët paralajmërojnë se, pavarësisht popullaritetit të saj, çdo simptomë që zgjat, përkeqësohet ose shoqërohet me temperaturë të lartë duhet të vlerësohet nga një profesionist i shëndetit, veçanërisht tek fëmijët, të moshuarit dhe personat me alergji.