Shqipëria rezulton e para në Europë për energjinë e rinovueshme. Vendi ynë kryeson me 99,3% e ndjekur nga Norvegjia me 99,1%, sipas Agjencisë për Media dhe Informim.
Shqipëria dhe Norvegjia kryesojnë me gati 100% prodhim të energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, ndërsa mesatarja e BE-së është 42%. Pas Shqipërisë dhe Norvegjisë, renditen Danimarka me 88,6%, Luksemburgu me 87,4% dhe Portugalia me 78,6%.
Ky tregues është i rëndësishëm në kohën kur sfidat për energjinë janë jetike në kontinentin tonë dhe menaxhimi i burimeve është prioritet i vetë Bashkimit Europian.

Rikujtojmë gjithashtu se Bashkimi Europian, përmes Bordit të Investimeve në Ballkanin Perëndimor, ka miratuar një paketë investimesh për 3 shtete të rajonit tonë, lajm që u bë i ditur në muajin Korrik.
Paketa prej 87.7 milionë Eurosh është miratuar për Shqipërinë, Serbinë dhe Malin e Zi. Ky fond do të përdoret për të investuar në energjinë e rinovueshme. Lajmi është bërë i ditur nga zyra e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri.
Në Shqipëri, fondet do të përdoren për të përmirësuar sistemin e transmetimit të energjisë, digjitalizimin e nënstacioneve për rritjen e kapacitetit dhe uljen e humbjeve në rrjet. Investimet do të prekin edhe HEC-in e Fierzës, për përmirësimin e sistemeve. Gjithashtu do të investohet edhe në linjën ajrore të transmetimit Rrashbull-Unaza e Tiranës.
Paketa 87.7 milionë euro për 3 shtetet e Ballkanit është dhënë në kuadër të planit të rritjes së BE-së për Ballkanit Perëndimor, për të përforcuar rrjetet energjetike, përmirësuar hidrocentralet ekzistuese dhe për panelet diellore.