Shqipëria po vijon të vuajë nga hemorragjia e popullsisë edhe pas më shumë se 30 viteve tranzicion, ku po dominon largimi i të rinjve. Të dhënat e Eurostat-it treguan se vetëm më 2024-ën, në vendet e Bashkimit Europian kanë emigruar rreth 44 mijë shqiptarë.
Vetëm pas pandemisë, në 4 vjet, për periudhën 2021-2024, nga vendi kanë ikur të paktën 180 mijë persona dhe këtu nuk përfshihen të dhënat e Greqisë e as të Mbretërisë së Bashkuar, me këtë të fundit që pa një valë ikjesh që kulmoi më 2022-shin. Ritmet e emigracioni u përshpejtuan pas pandemisë.
Eurostat publikoi të dhënat e detajuara sipas grupmoshave, të personave që janë larguar nga Shqipëria në vitin 2024. Sipas përpunimeve të “Monitor”-it është i dukshëm dominimi i të rinjve.
Grupi kryesor që ikin janë midis 25-29 vjeç, me mbi 6 mijë persona, ose 14.3% të totalit. Pas tyre vijnë të rinjtë e moshës 30 deri në 34 vjeç, me 13% të totalit.
Dukuri e fortë është edhe largimi i familjeve të reja, me fëmijë të vegjël, teksa grupmosha nën 15 vjeç përbënte gati 18% të të larguarve.
Në total, 62% e personave që kanë ikur emigrantë në vitin 2024 ishin nën 35 vjeç. Një pjesë e rëndësishme vitale e me përvojë e tregut të punës, gjithashtu po preferon të largohet, me grupmoshën 35-49 vjeç që përbënte 20% të të ikurve.
Të dhënat historike të INSTAT-it tregojnë se ka një ulje të moshës së emigracionit. Psh, më 2019-ën, grup mosha kryesore që emigroi ishte midis 30-34 vjeç, me 15.6% të totalit.
Largimi i të rinjve është një nga arsyet kryesore që ka bërë që mosha mediane, (ajo që e ndan popullsinë përgjysmë), të rritet me ritme shumë më të shpejta se në Bashkimin Europian.
Të dhënat e tjera të Eurostat-it bënë të ditur se Shqipëria kishte një moshë mediane 44.3 vite më 2025-ën, shumë afër mesatares europiane prej 44.9 vitesh.
Më 2015-ën, mosha mediane ishte 34.7 vjeç. Kjo do të thotë që në vitin 2025, gjysma e popullsisë ishte nën 44.3 vjeç, ndërsa 10 vite më parë, Shqipëria ishte shumë më e re, me gjysmën e popullsisë më të re se 34.7 vjeç.
Në 10 vite, shqiptarët u plakën gati 5 herë më shpejt se Europa
Ikja e grupmoshës riprodhuese, ashtu dhe nga ndryshimi i stilit të jetesës kanë bërë që edhe lindjet të bien ndjeshëm vitet e fundit. Shqipëria po përjeton një nga krizat më të thella demografike në historinë moderne.
Shifrat e fundit të vitit 2025 tregojnë rënie drastike të numrit të lindjeve me rreth 74% krahasuar me fillimin e viteve ’90, kur Shqipëria regjistronte një rekord prej 82,125 lindjesh, ndërsa 35 vite më vonë, ky numër ka zbritur në nivelin kritik prej 21,425 lindje.
Shqipëria po “shuhet”, lindjet më 2025-ën ishin 74% më të ulëta se më 1990-ën
Faktorët kryesorë që kanë ushqyer këtë trend janë plakja progresive e popullsisë, largimi i të rinjve, që po vazhdon me ritme të larta dhe ulja e shkallës së fertilitetit në vetëm 1.21 fëmijë për grua.
Ky ndryshim i modelit të familjes, i kombinuar me ikjen e forcës riprodhuese drejt BE-së, e ka vendosur vendin përpara një sfide ekzistenciale, që nuk po merret aspak seriozisht nga qeveria. Përkundrazi, kjo e fundit po përhap narrativën që emigracioni ka ndalur dhe tashmë dominojnë kthimet, kur po ndodh tërësisht e kundërta.
Të dhënat e INSTAT-it për emigracionin neto, që mat diferencën mes atyre që kthehen dhe atyre që ikin është negativ, me personat që ikin të cilët përbëjnë më shumë se dyfishin e atyre që kthehen.
Në vitin 2024, migracioni neto arriti rreth -43,761 persona, niveli më i lartë i regjistruar edhe për shkak të korrektimeve nga Censi 2023. Ndonëse me rënie, vitin e kaluar treguesi mbeti shumë i lartë, rreth -28,836 persona./Monitor