BEST OF LIVE FROM TIRANA
E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë Florida Zani, për të folur më shumë mbi turizmin. Ku preferojnë të pushojnë më shumë shqiptarët gjatë verës?
Shqiptarët sërish kanë preferuar të zgjedhin shtete evropiane dhe jo vetëm. Shtete evropiane, edhe Turqinë, që kryeson për pushime verore. Greqia gjithashtu ngelet një destinacion kryesor se është afër. Por një pjesë e mirë kanë menduar që t’i bëjnë pushimet në Shqipëri, për shkak të çmimeve që janë rritur kudo dhe ata kanë preferuar që t’i bëjnë brenda vendit.
A ka një trend vitet e fundit për shqiptarët që nuk preferojnë t’i bëjnë pushimet në Shqipëri për shkak të çmimeve të larta?
Patjetër që jashtë ke më shumë mundësi zgjedhje, sidomos Greqia që e kemi dhe afër, se ka një bregdet shumë më të madh se ne dhe ofron apartamente, hotele me 2-3 yje, 4-5 yje, në varësi të zgjedhjeve. Por varet nga destinacioni që zgjedh. Sepse nëse ti zgjedh Pargën për shembull, është njësoj i njëjti çmim si jugu i Shqipërisë, ose ndoshta edhe më shtrenjtë. Ose nëse ti zgjedh Mykonos apo Santorini, Paros, ato janë shumë më shumë, mund të jetë dyfishi apo trefishi i asaj çfarë paguan në Shqipëri. Pastaj nëse zgjedh vende si Korfuzi, Halkidiki, që kanë një bregdet më të gjerë… Për shembull në Mykonos shkojnë për jetën e natës, në Paros gjithashtu, në Santorini shkojnë çiftet për atë pamjen e bukur. Pra nëse nuk kanë një temë të caktuar, normalisht çmimet i gjen edhe më të lira në disa vende, por jo në vendet më të bukura. Sepse ne pretendojmë që në vendet më të bukura në Shqipëri, t’i marrim me pak lek, siç i marrim në këto vendet e tjera. Ka edhe diçka, kur flasim për plazh, çdo gjë e lidhim me bregdetin Jon, çdo plazh duhet t’i përngjajë atij. Por edhe në Korfuz që është bregdeti Jon, jo e gjithë pjesa e plazhit është ashtu. Ka plazhe që janë me rërë, ka plazhe që nuk të duket si deti Jon se ngjajnë si liqene. Dhe ne duhet ta shpjegojmë mirë këtë pjesë, sepse edhe në Antalja kur shkojnë, duan përveç shërbimit ‘All Inclusive’ që i kanë të gjitha të përfshira, nuk e çon dot detin Jon në Antalja.
Kush është destinacioni në Evropë ku shqiptarët e presin më shpesh biletën që të shkojnë?
Spanja dhe së fundmi është futur dhe Portugalia që është bërë trend, se ka linja direkte. Spanja me Barcelonën, që bëjnë plazh në Barceloneta. Se disa kanë qejf dhe jetën e natës dhe t’i kenë aty të gjitha, edhe pjesën kulturore dhe të bëjnë edhe plazh.