Pas rreth shtatë orë punë të palodhur, është hapur segmenti i bllokuar i rrugës kombëtare Librazhd–Prrenjas, i cili u bllokua pasi traseja u mbulua nga qindra metër kub gurë dhe dhe, të cilët ranë nga shpati i kodrës. Trafiku mbetet kaotik.
Shpati në fjalë është pjesë e punimeve për ndërtimin e një segmenti të trasesë së re rrugore, pjesë e projektit të njohur si “Koridori Tetë”, ku aktualisht po operon kompania “A N K” shpk.
Puna intensive e makinave të rënda dhe e ekipeve në terren bëri të mundur pastrimin e plotë të aksit dhe rifillimin e qarkullimit në të dy drejtimet. Autoritetet rrugore apelojnë për kujdes maksimal nga drejtuesit e mjeteve, duke theksuar rëndësinë e respektimit të sinjalistikës dhe paralajmërimeve në zonat ku kryhen punime intensive.
Hapja e segmentit vjen pas një ndërhyrjeje emergjente që synoi sigurinë e udhëtarëve dhe rikthimin sa më shpejt të trafikut normal, duke minimizuar pasojat e një ngjarjeje të papritur natyrore në rrugën që lidh Librazhdin me Prrenjasin.
Në një situatë të vështirë të krijuar nga bllokimi për të paktën gjashtë orë i aksit të rrugës kombëtare Librazhd–Prrenjas në “Kthesat e Dragostunjës”, banorët e fshatit Spathar dhanë një shembull të rrallë solidariteti dhe përgjegjësie qytetare.
Gjatë gjithë ditës së dielë, por edhe në orët e vona të mbrëmjes, ata në bashkëpunim të ngushtë me Policinë Rrugore kanë qenë në terren për të ndihmuar drejtuesit e mjeteve të mbetur të bllokuar në rrugë.