Të ftuar në emisionin “Vitality Vibes” në Top Albania Radio në studio me Ilvi Begollin kanë qenë boksieri i njohur Nelson Hysa, kampioni i Europës dhe kirurgu Maxilo-Facial, Aldo Vangjeli. Përpos profesionit të tij ai ka edhe pasion sportin, doktori është edhe një nga mjekët kryesor të të gjithë ekipeve kombëtare të të gjithë ndeshjeve zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit, UEFA Development dhe ndeshjeve që ne kemi në nivel ndërkombëtar.
Kontributi i Nelson Hysës në fushën e boksit është i jashtëzakonshëm. Në “Vitality Vibes”, Nelson Hysa ka treguar me detaje se si është jeta e një boksieri. Kur Ilvi e pyeti se si arrin t’i përballojë një boksier goditjet në kokë gjatë ndeshjes, ai u përgjigj duke thënë:
Të them të vërtetën ka edhe grushta të cilët janë 100% të pastër, ka edhe grushta që ne po themi i amortizojmë pra kap një pjesë dore, gjysmë largim ose kap pjesën e shpatullës. Ne jemi gjithmonë në mbrojtje dhe ruhemi për t’ju shmangur sa më shumë, që mos të marrim atë goditjen 100% të kundërshtarit, por pastaj kur merr ndonjë goditje të pastër, normalisht që i sheh ato zogjtë që rrotullohen mbi kokë siç them dhe ne.
Unë mund të them se kam pasur fatin por edhe jam stërvitur shumë për atë punë dhe gjatë gjithë karrierës sime 26-vjeçare nuk kam pasur asnjëherë ‘knock out’. Kjo më ka ndihmuar shumë.