Deva Cassel, vajza e ikonave të kinemasë Monica Bellucci dhe Vincent Cassel, ka rrëmbyer vëmendjen në Javën e Modës në Paris, duke u shfaqur në sfilatën e shtëpisë së famshme Dior.
Me sharmin natyral dhe elegancën që e karakterizon, ajo u kthye në një nga figurat më të komentuara të eventit.
E veshur me një këmishë dhe pantallona të gjera Dior, Deva shkëlqeu me një stil minimalist, por tepër sofisticuar, të kompletuar me bizhuteri luksoze Cartier. Pamja e saj u konsiderua një kombinim perfekt mes finesës klasike dhe frymës moderne.
Për pamjen e saj u kujdesën emra të njohur të industrisë: John Nollet për modelin e flokëve dhe Letizia Carnevale për grimin, duke e bërë paraqitjen e saj edhe më mbresëlënëse. Menjëherë pas sfilatës, rrjetet sociale u mbushën me komente entuziaste.
“Si nënë, si bijë”, “Është e bukur”, “Ylli i ardhshëm i industrisë së modës”, “Do ta pushtojë skenën”, janë vetëm disa nga reagimet që dominuan platformat online.
Në sfilatë ishin të pranishëm edhe shumë emra të njohur të botës së artit dhe modës, përfshirë Rihanna-n dhe stilistin legjendar John Galliano, çka e bëri eventin edhe më të rëndësishëm.
Edhe Monica Bellucci nuk e fshehu krenarinë për të bijën, duke ndarë në Instagram një foto të Devës nga sfilata, e cila u prit me mijëra pëlqime dhe komente.
Në vitin 2021 dhe 2022, ajo xhiroi një fushatë reklamuese për parfumin Dolce & Gabbana dhe parakaloi në pistat e kësaj shtëpie të njohur mode.
Me çdo paraqitje të re, Deva Cassel duket se po ndërton identitetin e saj unik, duke dalë nga hija e prindërve të famshëm dhe duke u shndërruar në një emër premtues të modës ndërkombëtare.