Bota Lifestyle Travel

Si i nxehti ekstrem po ndryshon mënyrën si planifikojmë pushimet!

Në verën e vitit 2023, Katie Piercefield-Holmes udhëtoi me familjen në Rodos, Greqi, për pushime. Por për shkak të temperaturave ekstreme dhe zjarreve që përfshinë ishullin, pushimet u kthyen në një përvojë traumatike.

Edhe një ecje pesëminutëshe pas mëngjesit ishte e papërballueshme, kujton ajo.

Ata u këshilluan të evakuoheshin, por qëndruan në vend, duke besuar se aty ishin më të sigurt.

Ngjarje të tilla janë gjithnjë e më të shpeshta. Valët e të nxehtit në verën e vitit 2023 prekën Greqinë, Italinë, Spanjën, Turqinë dhe Qipron, me temperatura deri në 45°C. Më shumë se 47,000 vdekje në Europë u lidhën me të nxehtin, shumica në jug. Në vitin 2022, numri ishte mbi 68,000.

Ndryshimet klimatike po sjellin jo vetëm temperatura më të larta, por edhe ndikime të drejtpërdrejta në turizëm. Sipas Komisionit Europian të Turizmit (ETC), 81% e europianëve kanë ndryshuar mënyrën si planifikojnë pushimet për shkak të klimës. Gati një në tre po zgjedhin destinacione me mot më të butë.

Familja e Katie tashmë udhëton në muaj më të freskët si maji ose tetori dhe planifikon aktivitete si ecje dhe vizita kulturore. Edhe agjencitë e udhëtimit raportojnë rritje të pushimeve në Pashkë apo pranverë. Një sondazh i kompanisë së sigurimeve Insureandgo zbuloi se 75% e britanikëve mendojnë se disa destinacione europiane do të bëhen shumë të nxehta për pushime brenda pesë viteve.

Sipas prof. Bas Amelung nga Universiteti Wageningen, vende si Spanja, Italia, Greqia dhe Turqia mund të bëhen të papërshtatshme për pushime verore. Edhe nëse temperaturat nuk rriten menjëherë, perceptimi negativ mund të mjaftojë për të ndryshuar sjelljen.

Ndërkohë, disa rajone po përshtaten. Greqia pati 20% më shumë turistë në pranverën e 2024 krahasuar me një vit më parë. Edhe Spanja pa rritje të ndjeshme të vizitorëve në muajt e dimrit. Kjo prirje e “zbutjes së sezonit të pikut” shihet si pozitive për ekonominë lokale, duke rritur qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e punësimeve.

Por ndikimet ekonomike janë të pashmangshme. Greqia prezantoi në 2024 një “taksë të qëndrueshmërisë klimatike”, që mund të shtojë deri në 100 euro në faturën e pushimeve për dhomë.

Ndërkohë, disa vende po promovojnë alternativa: në Gjermani, rajoni Spessart po zhvillon turizmin gjatë gjithë vitit me shtigje për ecje dhe aktivitete natyrore. Në bregdetin italian organizohen ture pas orës 22:00 për të shmangur të nxehtin. Rritje ka dhe në destinacione më pak tradicionale si Islanda, Finlanda, por edhe Shqipëria dhe Mali i Zi.

Sidoqoftë, faktorë si pushimet shkollore kufizojnë fleksibilitetin e familjeve për të ndryshuar sezonin e pushimeve. Edhe disa që përjetuan situata ekstreme nuk kanë ndryshuar zakonet, por janë bërë më të kujdesshëm në vlerësimin e rreziqeve si zjarret.

Sipas ekspertëve, nëse valët e të nxehtit dhe zjarret vazhdojnë për disa vite rresht, perceptimi publik për Mesdheun si vend ideal për verën mund të ndryshojë rrënjësisht. Pushimet verore në Mesdhe mund të mos jenë më norma, dhe kjo po ndodh më shpejt seç mendohej. / shqip.al