Në një botë gjithnjë e më të zhurmshme, muzika mbetet një nga terapitë më të fuqishme që kemi në dispozicion, pa receta, pa efekte anësore, dhe me ndikim të menjëhershëm. Nga baladat e qeta deri te ritmet energjike të verës, muzika është më shumë se një argëtim: është një mjet i fuqishëm për mirëqenie.
Studimet e fundit tregojnë se dëgjimi i muzikës së preferuar stimulon prodhimin e dopaminës, hormoni i lumturisë. Nuk është rastësi që kur jemi të trishtuar kërkojmë një këngë “që na kupton”, apo kur ndjehemi të motivuar zgjedhim një playlist dinamike për vrap.
Muzika ndikon në frekuencat e trurit, duke ndihmuar në reduktimin e stresit, ankthit dhe madje edhe të dhimbjeve fizike.
Por ndikimi i saj nuk ndalet te emocionet
Muzika e përditshme mund të përmirësojë fokusin, kujtesën dhe kreativitetin. Në punë, një sfond i lehtë instrumental ndihmon në rritjen e produktivitetit, ndërsa para gjumit, zërat e butë apo tingujt natyrorë ndihmojnë në relaksim dhe përmirësimin e cilësisë së gjumit. Edhe trupi reagon ndaj melodive. Ritmet e rregullta mund të ndikojnë në rrahjet e zemrës dhe tensionin e gjakut. Jo më kot, praktikat si joga ose meditimi përfshijnë tinguj specifikë për të ndihmuar trupin të futet në një gjendje qetësie. Pra, herën tjetër që ndihesh i tensionuar apo i lodhur, mos e nënvlerëso fuqinë e një kënge të mirë. Muzika është mjekësi për shpirtin dhe trupin e lirë, universale dhe gjithmonë e disponueshme.