Auto & Moto

Si po i bën kompania kineze karikuesit elektrikë aq të shpejtë sa edhe pompat e karburantit?!

Prodhuesi kinez BYD ka prezantuar një teknologji karikimi që, të paktën në teori, e afron përvojën e karburantit elektrik me atë të makinave tradicionale me benzinë. Në qytetin Wuhan, kompania njoftoi se karikuesit e saj “Flash” mund të mbushin baterinë e një makine nga 10% në 70% në vetëm 5 minuta dhe deri në 100% për rreth 9 minuta. Në terma praktikë, kjo përkthehet në mbi 600 milje autonomi, një shifër që deri dje dukej e paarritshme për automjetet elektrike.

Sekreti i kësaj shpejtësie qëndron në një kombinim të rrallë. BYD prodhon vetë makinat, bateritë dhe karikuesit. Ky integrim vertikal i jep një avantazh të madh ndaj konkurrentëve globalë, pasi të gjitha komponentët janë projektuar për të funksionuar së bashku në mënyrë optimale. Karikuesit e rinj arrijnë deri në 1 mijë e 500 kilovat fuqi, shumë më tepër se standardet aktuale në SHBA, ku karikuesit “hyper-fast” arrijnë zakonisht në 350 kW dhe kërkojnë 15-25 minuta për të arritur 80% të baterisë.

Në qendër të këtij inovacioni është gjenerata e re e baterive “Blade”, që përdorin një kimi të përmirësuar për të rritur densitetin e energjisë dhe për të përballuar rrjedha shumë të larta elektrike pa dëmtuar qelizat. Deri më tani, BYD ka ndërtuar mbi 4 mijë karikues në Kinë dhe planifikon të shtojë edhe 16 mijë të tjerë brenda vitit, si dhe rreth 2 mijë në Evropë.

Për të shmangur mbingarkesën e rrjetit elektrik, kompania po përdor edhe bateri magazinimi në stacionet e karikimit, duke stabilizuar furnizimin me energji dhe duke e bërë sistemin më të qëndrueshëm. Pavarësisht avancimit teknologjik, ky revolucion nuk pritet të përhapet shpejt në tregun amerikan. Arsyet janë të shumta. BYD nuk operon në SHBA për shkak të tarifave të larta dhe shqetësimeve për sigurinë kombëtare. Rrjeti elektrik nuk është i përgatitur për të përballuar karikues me kapacitet 1,500 kW. Infrastruktura ekzistuese kërkon investime masive për t’u përshtatur me këtë teknologji.