Në një botë ku shumica e njerëzve janë të mbingarkuar, të shpërqendruar ose të përqendruar te vetja, lënia e një përshtypjeje të parë të mirë varet nga një parim i fuqishëm: “Të jeni të vëmendshëm”. Pavarësisht nëse po filloni një punë të re, po takoni një klient ose po krijoni kontakte profesionale (networking), ja tre mënyra thelbësore për t’u dalluar dhe për t’i bërë njerëzit t’ju kujtojnë për arsyet e duhura.
1. Tregoni kuriozitet
Një nga mënyrat më të thjeshta dhe më efektive për të lënë një përshtypje të mirë është të tregoni kuriozitet. Njerëzit natyrshëm kënaqen duke u ndjerë interesantë e të rëndësishëm. Duke bërë pyetje të menduara mirë, u jepni të tjerëve hapësirën për të folur për veten e tyre dhe ata do të kujtojnë se si i keni bërë të ndihen.
Për shembull, kandidatët për punë që pyesin për përvojën e intervistuesit të tyre me kompaninë nuk tregojnë vetëm interes për rolin, por edhe për personin pas pozicionit. Dëgjoni me vëmendje. Njerëzit japin të dhëna gjatë bisedës. Kapini ato detaje, bëni një pyetje pasuese dhe tregoni se jeni të angazhuar. Në një botë të zhurmshme, të qenit i pranishëm është një superfuqi.
2. Tregoni një fakt interesant nga vetja
Ndërsa dëgjimi është çelësi, mos harroni të ndani diçka që i shton vlerë bisedës. Ofroni një mendim të thellë, një anekdotë ose një fakt argëtues që përshtatet natyrshëm me temën në fjalë. Nuk keni pse të mundoheni, thjesht jini të informuar mirë e lejoni që njohuritë tuaja të mbështesin momentin.
Qëllimi është të balanconi kuriozitetin me kontributin. Duhet të mbaheni mend jo vetëm si dikush që dëgjoi, por si dikush që solli diçka të vlefshme.
3. Ndihmoni të tjerët
Ndihma ndaj të tjerëve është një nga mënyrat më të nënvlerësuara për të lënë një përshtypje të mirë. Psikologu Art Markman thotë se të ofroni ndihmë, veçanërisht kur bashkoheni me një ekip të ri ndërton vullnet të mirë dhe hedh themelet për besim dhe bashkëpunim.
Përshtypjet më të mira nuk krijohen duke qenë interesant, por duke qenë të kujdesshëm. Bëni pyetje, ofroni diçka me vlerë dhe kërkoni mënyra për të ndihmuar. Eshtë kaq e thjeshtë dhe kaq e fuqishme. /shqip.al