Produktiviteti nuk do të thotë të bëni më shumë, por të përqendroheni te gjërat që kanë më shumë rëndësi, duke i lënë vetes hapësirë për të marrë frymë. Adarsh Rai, trajner i inteligjencës emocionale dhe CEO i HR Brain HUB, ndan dhjetë këshilla praktike për të punuar në mënyrë më të zgjuar, jo më shumë.
1. Filloni me detyrën më të vështirë
Zgjidhni që në mëngjes punën më të vështirë dhe përballuni me të përpara se t’ju shpërqendrojnë e-mailet apo mesazhet. Ndjesia e përmbushjes do t’ju japë shtysë për pjesën tjetër të ditës.
2. Përdorni teknikën 25-minutëshe
Vendosni një alarm për 25 minuta dhe përqendrohuni vetëm në një detyrë. Pastaj pushoni pesë minuta. Ky ritëm përmirëson fokusin dhe ruan energjinë gjatë ditës.
3. Detyrat e ngjashme kryejini së bashku
Telefonatat, e-mailet apo punët administrative bëjini në një bllok kohe. Do të kurseni energji dhe kohë duke shmangur kalimet e shpeshta nga një lloj pune në tjetrin.
4. Mbani një listë të vetme detyrash
Mos shpërndani shënime nëpër copa letre apo aplikacione të ndryshme. Një listë e vetme – fizike ose dixhitale – ju ndihmon të qëndroni të organizuar dhe të mos harroni asgjë.
5. Mësoni të thoni “jo”
Nuk mund të pranoni çdo kërkesë apo takim. Çdo “jo” është një “po” për prioritetet tuaja. Krijoni hapësirë për atë që ka vërtet rëndësi.
6. Automatizoni detyrat e përsëritura
Faturat, rezervimet, planifikimi i vakteve, gjeni mënyra të shpejta ose të automatizuara për t’ju ardhur në ndihmë. Sa më pak kohë të humbur në rutina, aq më shumë kohë për punë me vlerë.
7. Lëvizni rregullisht
Mos rrini ulur për orë të tëra. Çdo orë, bëni një shëtitje të shkurtër, shtrihuni ose bëni një ushtrim të lehtë. Do të ndiheni më energjikë dhe trupi do t’ju falënderojë.
8. Jepini një temë çdo dite
Planifikoni ditët sipas llojit të punës; për shembull, e hëna për planifikim, e marta për takime, e mërkura për punë intensive. Kjo ju ndihmon të shmangni shpërqendrimet.
9. Shpërbleni veten për arritjet e vogla
Kur përfundoni një detyrë, lejoni vetes një pushim, një kafe, një shëtitje apo media sociale. Kjo motivon trurin të kërkojë progres të vazhdueshëm.
10. Rishikoni javën që kaloi
Çdo fundjavë, pyeteni veten: Çfarë funksionoi? Çfarë më lodhi? Çfarë duhet ndryshuar? Ky zakon i vogël ndihmon për të përmirësuar vazhdimisht mënyrën se si punoni.
Mos harroni: nuk ka të bëjë me sasinë e punës që bëni, por me mënyrën se si e menaxhoni kohën dhe energjinë. Punoni me zgjuarsi, jo më gjatë, por më mirë. / shqip.al