Lifestyle

Si t’u shpjegohet fëmijëve divorci pa i traumatizuar? Ekspertët japin udhëzimet kryesore…

Divorci mbetet një nga përvojat më të vështira për çdo familje, por ndikimi më i madh shpesh bie mbi fëmijët. Sipas ekspertëve të shëndetit mendor, mënyra se si prindërit komunikojnë këtë ndryshim me ta është thelbësore për të shmangur trauma afatgjata.

Në moshën shkollore, fëmijët kuptojnë shumë mirë se çfarë po ndodh në familje. Edhe kur divorci është një vendim i përbashkët dhe i qetë, prindërit kanë detyrimin që t’ua shpjegojnë fëmijëve me fjalë të thjeshta dhe të kuptueshme.

Është e rëndësishme që t’i theksohet fëmijës se ndarja nuk është aspak faji i tij dhe se dashuria e prindërve do të mbetet e pandryshuar

-shprehen psikologët familjarë.

Specialistët këshillojnë që biseda të zhvillohet pa akuza dhe pa fajësuar prindin tjetër, duke shmangur çdo tentativë për ta vënë fëmijën në pozicion zgjedhjeje.

Përpara se t’i komunikohet lajmi, prindërit duhet të bien dakord mbi përmbajtjen e bisedës, në mënyrë që fëmija të marrë një mesazh të qartë: divorci është vendim i përbashkët dhe nuk ka asnjë lidhje me të.

Një nga gabimet më të zakonshme, sipas ekspertëve, është kur njëri prej prindërve përpiqet të hedhë baltë ndaj tjetrit ose ta përdorë fëmijën si aleat.

Ky qëndrim, përveçse dëmton marrëdhënien prind-fëmijë, shkakton ndjenja faji, trishtimi dhe pasiguri.

Fëmija ka nevojë për të dy prindërit, edhe nëse jetojnë të ndarë. Bashkëprindërimi i shëndetshëm është thelbësor

-theksojnë psikologët.

Ekspertët nënvizojnë se divorci është një proces dhe kërkon kohë që të përvetësohet. Sa më i qetë, gradual dhe i zbutur të jetë ky tranzicion, aq më lehtë fëmija do të përshtatet me situatën e re.

Për këtë arsye, rekomandohet që ndarjes të mos i shtohen ndryshime të tjera drastike në jetën e përditshme të fëmijës, si ndërrimi i shkollës apo i mjedisit shoqëror.

Në përfundim, psikologët theksojnë se edhe pse divorci sjell dhimbje dhe pasiguri, mënyra si prindërit e menaxhojnë procesin mund ta ndihmojë fëmijën të ruajë ndjenjën e sigurisë dhe dashurisë së dyanshme, duke e bërë më të lehtë për të kapërcyer këtë sfidë.