Food & Drink Lifestyle

Si ushqimi i përditshëm mund të zëvendësojë suplementet që merrni?

Në një kohë kur raftet e farmacive janë mbushur me kapsula, pluhura dhe pilula “mrekulli”, specialistët e shëndetit po rikthejnë vëmendjen te një e vërtetë e thjeshtë, por shpesh e harruar: ushqimi i vërtetë është shpesh suplementi më i mirë që mund t’i japësh trupit.

Kur dieta është e larmishme dhe e balancuar, shumë nga lëndët ushqyese që kërkojmë përmes produkteve shtesë mund të merren natyralisht nga ushqimet e përditshme.

Vitamina, minerale dhe yndyrna të shëndetshme gjenden në pjatën tonë, pa efekte anësore dhe me përthithje më të mirë nga organizmi.

Ja cilat janë disa nga lëndët ushqyese kryesore dhe ushqimet që i ofrojnë ato në mënyrë natyrale:

Omega-3 – aleati i zemrës dhe trurit

Këto yndyrna të shëndetshme ndihmojnë funksionin e zemrës, trurit dhe reduktimin e inflamacionit.

Ato gjenden te peshqit e yndyrshëm si salmoni, sardelet dhe skumbria, por edhe te arrat, farat e lirit dhe chia. Konsumi i rregullt i tyre shpesh e bën të panevojshëm suplementin.

Vitamina C – mburoja e imunitetit

E domosdoshme për mbrojtjen e organizmit dhe për thithjen e hekurit, vitamina C gjendet me bollëk në agrume, kivi, luleshtrydhe, speca dhe brokoli.

Një dietë e pasur me fruta dhe perime të freskëta mbulon lehtësisht nevojat ditore.

Vitamina D – themeli i kockave dhe muskujve

Edhe pse njihet si “vitamina e diellit”, ajo mund të merret edhe nga ushqimi. Peshqit e yndyrshëm, vezët dhe produktet e qumështit të fortifikuara janë burime të mira, veçanërisht gjatë muajve me pak ekspozim në diell.

Seleni – mbrojtësi i qelizave

Ky mineral luan rol kyç në funksionin e tiroides dhe mbrojtjen kundër stresit oksidativ. Arrat e Brazilit, drithërat, vezët dhe disa perime janë burime natyrale që shpesh mjaftojnë pa pasur nevojë për integratorë.

Magnezi – qetësia për muskujt dhe mendjen

I rëndësishëm për energjinë, funksionin nervor dhe relaksimin muskulor, magnezi gjendet te perimet me gjethe jeshile, bishtajat, frutat e thata dhe farat. Një dietë e pasur me këto ushqime ndihmon edhe në menaxhimin e stresit.

Zinku – për imunitet, lëkurë dhe flokë

Zinku mbështet mbrojtjen imunitare dhe rigjenerimin e qelizave. Ai është i pranishëm në drithëra integrale, fara kungulli, bishtaja dhe produkte qumështi, duke e bërë të arritshëm edhe pa suplement.

Ekspertët theksojnë se suplementet mund të jenë të dobishme vetëm në raste specifike dhe me këshillën e mjekut. Për shumicën e njerëzve, një ushqyerje e balancuar, e pasur dhe natyrale mbetet mënyra më e sigurt dhe më efektive për të ushqyer trupin dhe mendjen.