Aktualitet

Siguria në plazhe, 41 mjete lundruese të bllokuara në Vlorë!

Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare, vijojnë intensivisht kontrollet në të gjithë vijën bregdetare të qarkut Vlorë, ndaj mjeteve lundruese, kryesisht ndaj atyre të argëtimit, për verifikimin e dokumentacionit dhe zbatimin e rregullave të lundrimit.

Sipas njoftimit të Policisë, nga 132 mjete lundruese të kontrolluara gjatë ditëve të fundit, nga Ksamili në Sarandë, 41 rezultuan në paligjshmëri.

Policia ka bllokuar 41 mjete lundruese (7 Jet Ski, 34 gomone e skafe). Drejtuesit e këtyre mjeteve lundruese u ndëshkuan për shkeljet si vijojnë: tre për shkelje të perimetrit të sigurisë, masa administrative 100 mijë lekë secili; dy për tejkalim të numrit të personave që lejohen në bord, masa administrative 30 mijë lekë secili; një për ushtrim të aktivitetit pa licencë, masa administrative 100 mijë lekë; një për mosregjistrim të pronësisë mbi mjetin lundrues, masa administrative 20 mijë lekë; 34 për mungesë të dokumentacionit në bord, masa administrative 10 mijë lekë secili.

Policia Kufitare e Vlorës apelon për pronarët dhe për përdoruesit e mjeteve lundruese, për respektimin e perimetrit të sigurisë së pushuesve në plazhe, për zbatim me korrektesë të kërkesave ligjore për daljen në det dhe për pajisjen me dokumentacionin përkatës.

Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare janë të angazhuara maksimalisht për të garantuar sigurinë në plazhe dhe në këtë kuadër do të intensifikojnë kontrollet e monitorimin nga toka dhe në det, në të gjithë vijën bregdetare.