Sport

Silvinjo në konferencë për shtyp/Mungesa e Seferit, afrimi i Brrutit!

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo foli për mediat në prag të ndeshjeve kualifikuese të Botërorit, kundër Anglisë dhe Andorrës.

Kemi dy ndeshje shumë të vështira, por shumë të ndryshme nga njëra-tjetra. Anglia, është një nga kombëtaret më të forta në botë, me lojtarë shumë të mirë e me trajner të ri, i cili është shumë i motivuar në debutim. Ne duhet të përgatitemi mirë dhe shumë. Me shqetësojnë si Anglia edhe Andorra, dy ndeshje të ndryshme por shumë të rëndësishme për ne. Mitaj, Bare, Hysaj e Daku do të mungojnë në këto ndeshje për shkak dëmtimesh.

Pse mungon Seferi?

Kemi shumë lojtarë në krah të majtë (Hoxha, Muçi, Bajrami). Seferi është një lojtar shumë i mirë, që jep gjithçka në fushë. Endërrojmë që të shkojmë në Botëror. Seferi nuk është sot, por mund të jetë nesër. Kombëtarja ka nevojë për të gjithë, u shpreh Silvinjo.

Debati për Brrutin krijon tension dhe presion për lojtarin?

Unë jam trajneri i parë i Kombëtares shqiptare, por punojmë së bashku me të gjithë përgjegjësit (Doriva, Zabaleta, Bulku, Bushi, Pea) për vlerat teknike të lojtarëve. Sa i përket Brrutit, ai është një lojtar mëngjarash, që ne e ndjekim prej kohësh, pasi Muçolli është dëmtuar.

Kemi shumë lojtarë në të djathtë, por më pak në të majtë. Brruti është një mëngjarash, që vlerësuam se meriton të vijë te ne. Dhe jam i bindur që mund të lërë shenjë. Eshtë një lojtar që ka cilësi. Eksperienca tregon që futbollistët duhet të bashkëjetojnë me presionin. Ai ka mbështetjen tonë në kombëtare për të punuar me qetësi dhe të marrë kohën e tij.

Shqipëria bëhet gati për të nisur misionin më të ri, Kampionatin Botëror 2026. Trajneri i Kombëtares, Sylvinho publikoi listën me 26 lojtarët e ftuar në dy ndeshjet e para kualifikuese të kuqezinjve, përballë Anglisë dhe Andorrës. Një listë me emra që jemi mësuar t’i shohim shpesh e po ashtu me prurje të reja, teksa një rol e kanë luajtur dhe dëmtimet.

Elseid Hysaj, Keidi Bare, Indrit Tuci dhe Mario Mitaj janë disa nga emrat që nuk kanë arritur që t’ia dalin të jenë pjesë e listës për shkak të dëmtimeve, ndërsa një surprizë është mungesa e Anis Mehmetit. Përveç emrave të Berat Gjimshitit, Jasir Asanit, Kristjan Asllanit, etj, shihen dhe rikthimet në Kombëtare të Armando Brojës e Naser Alijit. Emri i ri është i shumëpërfoluri, Etnik Brruti, 21-vjeçari i cili për herë të parë do të veshë fanellën kuqezi.