Qeveria e Kosovës mbajti një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme, që dje kulmuan me vrasjen e liderit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei në sulmet e përbashkëta amerikano-izraelite.
Mbledhja u mbajt me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti.
Kryeministri Kurti ka ritheksuar qëndrimin e qartë të institucioneve të Republikës së Kosovës se qëndrojnë të palëkundura përkrah miqve dhe aleatëve tanë strategjikë, e në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në përpjekjet për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar, thuhet në një komunikatë të Kryeministrisë.
Ndër të tjera, përmendet se Kosova solidarizohet me popullin e Iranit dhe aspiratat e tyre legjitime për liri, dinjitet e të drejta themelore.
Institucionet e Republikës së Kosovës tashmë kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë në Republikën e Kosovës dhe se janë duke i monitoruar për së afërmi zhvillimet në Lindjen e Mesme, sikurse edhe implikimet e mundshme për Kosovën dhe rajonin. Ne po ashtu jemi në komunikim të afërt dhe të vazhdueshëm edhe me partnerët tanë strategjikë, nënvizohet ndër të tjera në komunikatë.