Aktualitet

Situatë e qëndrueshme në Qarkun Korçë, qarkullimi rrugor normal!

Prefektura e Qarkut Korçë informon se gjatë natës nuk janë regjistruar reshje në akset rrugore të qarkut, sipas të dhënave nga ARRSH – Drejtoria Qendër–Lindje. Temperaturat kanë qenë nën zero dhe në zonat problematike është ndërhyrë me kriposje për të garantuar sigurinë e qarkullimit.

Qarkullimi vijon normalisht në segmentet Ersekë–Leskovik dhe Maliq–Kufi Gramsh, megjithëse në këtë të fundit problematikë mbeten aluvionet në formë balte që vijnë nga skarpatat, kryesisht në zonën e Lozhanit. Në akset Boboshticë–Dardhë, Lapidari Podgorie–Podgorie–Liqenas, si dhe në lotin 7 (Libonik–Rëmbec–Plasë dhe Korçë–Voskopojë), është kryer kriposje sipas nevojës dhe qarkullimi paraqitet normal. Në akset Korçë–Ersekë dhe Zemblak–Goricë–Bilisht–Miras nuk raportohen probleme, por drejtuesit e mjeteve këshillohen të përdorin goma dimërore.

OSHEE – Drejtoria Rajonale Korçë raporton se aktualisht janë tre fiderë pjesërisht të stakuar, me një numër të kufizuar abonentësh pa energji elektrike: 14 abonentë ruralë në zonën e Maliqit, 4 abonentë privatë në zonën e Pogradecit dhe 2 abonentë në zonën e Gjançit. Ekipet e OSHEE-së janë në gatishmëri për riparimin e defekteve në terren, ndërsa furnizimi me energji për konsumatorët e rëndësisë së veçantë është i garantuar. Hidrovori i Pogradecit vijon punën normalisht.

Ndërkohë, po vijon puna për mbylljen e çarjes së argjinaturës së lumit Devoll, me angazhimin e mjeteve të Ministrisë së Mbrojtjes, në bashkëpunim me Bashkinë Maliq dhe Drejtorinë e Ujitjes dhe Kullimit. Nga bashkitë e qarkut nuk raportohen problematika të reja, ndërsa strukturat përgjegjëse vijojnë të jenë në terren për normalizimin e plotë të situatës.