Gossip

Skandal me inteligjencën artificiale të Elon Musk? Nëna e fëmijës së tij padit kompaninë për imazhe seksuale të rreme?

Një tjetër stuhi po godet perandorinë teknologjike të Elon Musk. Ashley St Clair, influencuesja e njohur dhe nëna e njërit prej fëmijëve të miliarderit, ka ngritur një padi kundër kompanisë së inteligjencës artificiale të Musk, duke e akuzuar se ka lejuar krijimin dhe shpërndarjen e imazheve seksuale të rreme të saj, pa pëlqimin e saj.

Në padinë e depozituar në gjykatën e shtetit të Nju Jorkut, St Clair, e cila ka rreth një milion ndjekës në platformën X, pretendon se chatbot-i Grok ka gjeneruar përmbajtje të rreme dhe degraduese, përfshirë imazhe intime, që kanë qarkulluar gjerësisht në internet.

Sipas saj, gjithçka nisi kur pa një imazh të gjeneruar nga inteligjenca artificiale ku ajo shfaqej me bikini, pa qenë kurrë reale.

Influencuesja thotë se i ka kërkuar kompanisë që të ndalonte menjëherë prodhimin e kësaj përmbajtjeje, por pavarësisht ankesës, Grok ka vazhduar të krijojë dhe shpërndajë, sipas saj, “shumë imazhe të rreme seksualisht abuzive, intime dhe degraduese”.

Padia vjen vetëm disa orë pasi Elon Musk njoftoi kufizime të reja për redaktimin e imazheve në Grok, veçori që kishte ngritur alarmin publik pasi mund të manipulonte fotografi të njerëzve realë, deri në pikën e “zhveshjes” digjitale.

Në një reagim në X, kompania deklaroi se ka vendosur masa teknologjike për të parandaluar redaktimin e imazheve të personave realë me bikini apo të brendshme, duke theksuar se kufizimi vlen për të gjithë përdoruesit, përfshirë abonentët.

Ndërkohë, vetë Musk është shprehur se nuk ka dijeni për ndonjë rast ku Grok të ketë gjeneruar imazhe nudo të të miturve, sipas një raportimi të Reuters.

Megjithatë, sistemi i inteligjencës artificiale ka shkaktuar shqetësime serioze në shumë vende, nga Evropa deri në Azi, ku autoritetet kanë nisur hetime për përhapjen e materialeve të paligjshme dhe me përmbajtje seksuale eksplicite.

Në Shtetet e Bashkuara, disa organizata për të drejtat civile kanë shkuar edhe më tej, duke i bërë thirrje Apple dhe Google që ta bllokojnë aplikacionin Grok nga dyqanet online.

Ndërsa procesi gjyqësor sapo ka nisur, çështja pritet të hapë një debat të madh mbi kufijtë e inteligjencës artificiale, privatësinë dhe përgjegjësinë ligjore të gjigantëve të teknologjisë.