Filmi biografik “Michael”, që sjell në ekran jetën e Michael Jackson, nuk ka arritur të bindë kritikët, duke marrë një vlerësim të ulët prej vetëm 35% në platformën Rotten Tomatoes.
Në rolin kryesor shfaqet Jaafar Jackson, nipi i legjendës së pop-it, ndërsa filmi ndjek rrugëtimin e artistit nga fillimet me The Jackson 5 deri në kulmin e karrierës së tij solo. Projekti mban firmën e regjisorit Antoine Fuqua dhe skenaristit John Logan.
Megjithëse disa kritikë vlerësuan interpretimin e Jaafar Jackson, duke e cilësuar si të afërt me figurën ikonike, shumë të tjerë u shprehën të zhgënjyer nga mënyra si trajtohet historia.
Sipas tyre, filmi shmang anët më të errëta dhe komplekse të jetës së këngëtarit, duke ofruar një version të “butë” dhe jo plotësisht realist.
Disa recensues e përshkruajnë si një përvojë nostalgjike për fansat, ndërsa të tjerë shkojnë më tej, duke e cilësuar si një projekt që i ngjan më shumë një promovimi të gjatë sesa një rrëfimi të thelluar artistik.
Pavarësisht kritikave të forta, interesi i publikut mbetet i lartë, duke treguar se figura e Michael Jackson vazhdon të jetë magnet për audiencën, edhe kur projektet rreth tij ndajnë mendimet.