Sport

Skandali me kampionin e Europës, reagon Presidenti i Federatës së Mundjes: Ja çfarë më tha zyrtari rus!

Në ceremoninë e dorëzimit të medaljes së artë të Çermen Valiev që u shpall kampion Europe në mundje me flamurin shqiptar, ndodhi një skandal.

Ai u quajt tradhtar nga presidenti i federatës ruse të mundjes, i cili ushtroi edhe forcë mbi sportistin e Shqipërisë, ndërsa për ngjarjen reagoi KOKSH dhe federata jonë.

“Mamiashvili është një mik i Prizrenit dhe mik i Shqipërisë. Ai ishte një veprim emocional dhe nuk mendoj se duhet ekzagjeruar kaq shumë. Duhet të kuptoni që sportisti ynë mundi sportistin e tyre (rusëve) që nuk pësonte një humbje prej vitit 2018. Unë e mirëkuptoj gjendjen e tyre emocionale. Ne të sportit i lëmë incidentet në fushën e betejës dhe nuk i zgjasim më. Sigurisht që pas incidentit më kërkoi ndjesë dhe më tha se nuk kishte asnjë problem me sportistin tonë”, tha presidenti i federatës së mundjes, Sahit Prizreni ekskluzivisht për Top Channel.

Postimi i plotë i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar:

 Sporti i mundjes është përfshirë në një skandal të vërtetë gjatë ceremonisë së dorëzimit të medaljeve në Kampionatin Europian të zhvilluar në Bratislavë të Sllovakisë. Presidenti i Federatës Ruse të Mundjes dhe Zv/Presidenti i Federatës Botërore të Mundjes, Mikhail Mamiashvili, në momentin e dorëzimit të medaljes së Artë për Chermen Valiev, si Kampion Europe për Shqipërinë, ka bërë një gjest skandaloz, duke ushtruar forcë teksa i vendoste në qafë medaljen dhe më pas duke e shtyrë me duar. Gjatë këtij momenti është dëgjuar edhe fjala ‘tradhëtar’ për Chermen Valiev, që ka zgjedhur të garojë për Shqipërinë.