Partia Socialiste propozon 11 majin për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare 2025. Kryetari i grupit, Niko Peleshi dhe Sekretari i Përgjithshëm, Blendi Klosi, ishin në presidencë e sugjeruan 11 majin, “datën me të fundit në afatin ligjor për t’i dhënë mundësi procesit përgatitor për votën e diasporës”, siç tha Klosi.
Partia Demokratike ka bojkotuar konsultimet me presidentin Bajram Begaj. Opozita i cilësoi “farsë” se sipas Gazment Bardhit, data është paracaktuar nga Rama-Balla. Arsyet e mosdërgimit në Presidencë të përfaqësuesve demokratë i përforcoi kryetari i tyre Sali Berisha, në një konferencë me gazetarë:
PD-ja është e sigurt që Haram Bego, e kam quajtur njëherë dhe nuk do ia heq më, do përcaktojë atë që i thotë Edi Rama. Por në rast se ekspertët tanë e gjykojnë se për votën e shqiptarëve jashtë vendit, ne nuk kemi kundërshti për të gjetur kohën më të përshtatshme por të garantoj se Haram Bego, për të zmuthuar lidhjen me Begon tjetër, njëri e vë Begaj, tjetri Bego, i ndryshojnë këta mbiemrat por mbiemrat e tyre nuk janë puna ime, pra ai cakton vetëm datën që i thotë Edi Rama.
Nuk ka, mos bëhemi qesharakë.
Kreu i shtetit vijoi konsultimet me disa prej drejtuesve të partive parlamentare ku 4 përfaqësues të subjekteve të vogla, i propozuan 4 majin. Numri 1 i KQZ-së. Ilirjan Celibashi ishte i fundit që zhvilloi takim konsultativ me kryetarin e shtetit.
Kryekomisioneri Shtetëror, Ilirjan Celibashi, tha se po shohin të gjitha mundësitë në aspekt të kohës për t’u përgatitur për zgjedhjet e ardhshme. Në një komunikim për mediat, deklaroi se po shohin të gjitha mundësitë në aspekt të kohës për t’u përgatitur për zgjedhjet e ardhshme. Ai bëri me dije se KQZ-ja ka kërkuar 11 majin 2025, si datë për zhvillimin e zgjedhjeve.
Te Presidenti i Republikës, ne rekomanduam që të jetë data 11 edhe pse kjo kërkesë mund të jetë e përputhur me kërkesën e dikujt tjetër por nuk ka lidhje. Nuk shikojmë axhendën politike, por mundësinë që kemi në aspekt të kohës për të përgatitur zgjedhjet e ardhshme, tha numri një i KQZ-së.
Edhe Partia Socialiste ka propozuar datën 11 maj për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen vitin e ardhshëm.