Cigaret tradicionale po humbasin terren, por nikotina vazhdon të fitojë. Ky është paradoksi që po del në pah në Ditën Botërore pa Duhan, të promovuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Pas rënies së pirjes së duhanit fshihet një realitet më kompleks: cigaret elektronike, pajisjet e ngrohjes së duhanit dhe paketat e nikotinës po ndryshojnë fytyrën e varësisë, duke tërhequr veçanërisht adoleshentët dhe të rinjtë.
Paralajmërimi i OBSH-së:
Lufta ndaj varësisë nga nikotina dhe duhani, synon strategjitë e marketingut të industrisë së duhanit dhe nikotinës. Paketimet shumëngjyrëshe, aromat frutore, fushatat në mediat sociale e produktet e dizenjuara në mënyrë tërheqëse po e bëjnë nikotinën gjithnjë e më joshëse për të rinjtë.
Qëllimi i fushatës është i qartë: të çmontojë imazhin e padëmshëm të produkteve të reja dhe të tërheqë vëmendjen ndaj rreziqeve të varësisë, të cilat shpesh anashkalohen sepse shoqërohen me pajisje që perceptohen si më pak të dëmshme se cigaret tradicionale.
Në anën tjetër, nëse disa njerëz nuk bëhen duhanpirës të rëndë, ka shumë të ngjarë që pjesërisht, kjo i detyrohet një varianti të veçantë gjenetik që përmban udhëzimet për një përbërës të receptorit të nikotinës, i cili gjendet në membranën e jashtme të disa neuroneve dhe është përgjegjës për efektin “shpërblyes” që nikotina prodhon në tru.
Zbulimi u botua në revistën Nature Communications nga një ekip kërkimor i drejtuar nga Qendra e Gjenetikës Regeneron me bazë në SHBA.
Të dhënat tregojnë se varianti gjenetik shoqërohet me më pak cigare të tymosura dhe për këtë arsye sugjerojnë strategji të reja terapeutike për të luftuar varësinë nga nikotina. Autorët e studimit renditën ADN-në e gati 38,000 duhanpirësve të rregullt meksikanë, të cilët morën pjesë në një studim të madh që synonte të kuptonte faktorët që ndikojnë shëndetin në atë popullatë.
Duke analizuar të dhënat, studiuesit identifikuan një variant të gjenit CHRNB3, i cili kodon një nënnjësi të receptorit të nikotinës, që shoqërohej me më pak cigare të tymosura në ditë. Krahasuar me ata me variantin më të zakonshëm, bartësit e një kopjeje të variantit të identifikuar pinin duhan 21% më pak, ndërsa ata me dy kopje, 78% më pak.
Po ashtu, varianti u vu re më shpesh te njerëzit me prejardhje indigjene meksikane. Të mbledhura në UK Biobank, baza e të dhënave biomjekësore të Mbretërisë së Bashkuar, më pas, gjetjet u konfirmuan në grupe prej 130,000 individësh me prejardhje evropiane dhe te 180,000 aziatikë.