Më 09:30 minuta, nis gjyqi për dosjen e Erion Veliajt për seancën e parë në themel. Një muaj më parë, Gjykata e Posaçme vendosi të kalojë për gjykim dosjen në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes Ajola Xoxa, si edhe 28 personave e shoqërive pjesë e së njëjtës dosje.
Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025, ndërsa SPAK e dërgoi kërkesën për ta kaluar dosjen për gjykim vetëm 5 muaj më parë. Ndaj tij, Prokuroria e Posaçme renditi 13 akuza, të tilla si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.
Shumica e akuzave lidhen me korrupsionin pasiv në 9 raste, në raport me disa kompani për të cilat SPAK-u thotë se ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare e pasurive të paluajtshme, që nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.
Edhe bashkëshortja Xoxa, akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, ashtu si Erion Veliaj. Po ashtu, Xoxa akuzohet për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje e të ardhurave.
Biznesmenët akuzohen për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash.
Ish-deputetja socialiste, Klotilda Bushka, për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, ndërsa Fatjon Baci është gardiani i Burgut të Durrësit, i cili i dha telefonin Erjon Veliajt gjatë transferimit të tij nga qelia në gjykatë.
Kjo ndodhi në dy raste dhe akuzohet për “Futje ose mbajtje të sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”.