Aktualitet

Sot nis gjyqi në themel për dosjen “Meta”/Ish-presidenti: Seanca të transmetohet live!

Sot nis gjyqi në themel ndaj ish-presidentit Ilir Meta në Gjykatën e Posaçme. Kreu i Partisë së Lirisë i ka kërkuar GJKKO-së që seancat gjyqësore ndaj tij, të transmetohen live për mediat.

Në respekt të qytetarëve të cilëve u kam shërbyer me përkushtim dhe ndjenjë të thellë patriotizmi në detyrat më të larta shtetërore (President, Kryetar i Kuvendit dhe Kryeministër), i drejtohem GJKKO me kërkesën publike për të garantuar transmetimin e drejtpërdrejtë të të gjithë këtij procesi, nga seanca e parë, dhe deri në fund.

Presidenti i partisë së Lirisë, thotë se mediave duhet t’u garantohet sinjali i transmetimit live, duke theksuar:

Transparenca përpara qytetarëve shqiptarë dhe llogaridhënia është detyrim për çdo institucion dhe çdo funksionar publik.

Ilir Meta ndodhet në paraburgim prej tetorit 2024 dhe SPAK-u e ka marrë të pandehur për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie, lidhur me aferën CEZ-DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA. E pandehur është edhe ish-bashkëshortja, Monika Kryemadhi, ndaj të cilës ka masë “Detyrim për paraqitje”.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Meta dhe Kryemadhi përdorën një sërë skemash korruptive, influencën dhe pushtetin e tyre politik me qëllim favorizimin e bizneseve të caktuara kundrejt shpërblimit të marrë apo të premtuar, për të pastruar paratë e korrupsionit e fshehën pasuri dhe nuk deklaruan shpenzime të konsiderueshme.

Kur çështja u kalua për gjykim më 18 mars të këtij viti, Meta dhe Kryemadhi kërkuan pushimin e saj, me argumentin se nuk ekziston vepër penale, ose në alternativë, rikthimin për hetime të mëtejshme.

Në seancën e sotme, gjykata pritet të shprehet nëse do të pranojë kërkesën për gjykim të shkurtuar, për tre të pandehurit e tjerë, nënën e Monika Kryemadhit, Fatimen e Ema Çokun, bashkëpunëtore e ish-deputetes, të dyja të akuzuara për pastrim parash, si dhe ish-kreun e AKEP-it Pirro Xhixho, i pandehur për korrupsion.