Rajoni

Sot priten rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit në Kosovë!

Në Kosovë, sot pritet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të muajit të kaluar. Zëdhënësi i KQZ-së, Vlamir Elezi, tha se komisioni pritet të mbajë një mbledhje, me rend dite shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit për Kuvendin e Kosovës.

Zvarritja në shpalljen e rezultateve përfundimtare vjen si pasojë e problemeve me të cilat është përballur KQZ-ja gjatë numërimit të votave, si dhe për shkak të rinumërimit të dhjetëra kutive të votimit e ankesave. Vlerësohet se shpallja e rezultateve përfundimtare dhe certifikimi i tyre do t’i hapë rrugën formimit të institucioneve të reja të Kosovës.

Me ligjet e Kosovës, brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve, presidentja e vendit duhet që të thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës. Nëse zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët, atëherë Vjosa Osmani duhet që të kërkojë nga partia fituese, të propozojë të mandatuarin për formimin e qeverisë.

Lëvizja Vetëvendosje, parti politike që drejtohet nga kryeministri Albin Kurti, i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, por nuk arriti të marrë shumicën e nevojshme prej 61 deputetësh, për ta formuar e vetme qeverinë. Ky subjekt siguroi 48 në parlamentin me 120 vende dhe Kurti është zotuar se partia e tij do të vazhdojë qeverisjen në Kosovë.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka fituar 24 vende, Lidhja Demokratike e Kosovës, 20, Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma, 8 ndërsa Lista Serbe, partia e serbëve të Kosovës që mbështetet nga Beogradi zyrtar, 9 vende.

Albin Kurti ka thënë se po pret certifikimin e rezultateve, para se anëtarët e partisë së tij të ulen dhe të shikojnë rrugën përpara.

Nuk ka ndryshuar situata që ne të kemi qëndrime të tjera sa u përket kundërshtarëve tanë. Eshtë bërë një luftë hibride kundër qeverisë sonë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kemi dalë fitimtarë dhe fitimtari duhet dhe do ta formojë qeverinë e re, u shpreh Kurti për mediat, disa ditë më parë.

Tri partitë e mëdha opozitare në Kosovë, e kanë bërë të qartë se nuk do të hyjnë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje të  Kurtit.