Aktualitet

Sot protesta e opozitës, mes protestuesve rikthehet Berisha/Ja rrugët që bllokohen në Tiranë!

Mosbindja civile e shpallur nga opozita, sot në Tiranë zhvillohet protesta e radhës që nis në orën 17:00. Për herë të parë, pas një viti arrest shtëpie si masë sigurie lidhur me dosjen e privatizimit të ish-klubit sportiv Partizani, Sali Berisha do të bashkohet me protestuesit në rrugë.  Me një vendim të Gjykatës së Posacme të datës 27 nëntor, kryetari demokrat rifitoi lirinë e plotë pas 11 muajve izolim.

Paraprakisht, mësohet se do të bllokohen: rruga pranë Bashkisë, rreth-rrotullimet te “Zogu i Zi”, sheshi “Uillson” e “Pallati me Shigjeta”, si dhe kryqëzimi te “Rruga e Elbasanit”, pranë xhamisë së “Namazgjasë”. Në një postim, deputeti socialist, Erion Braçe shkruan se bllokimi i rrugëve është kundër interesit të qytetarëve.

Tirana do ta ketë ditë vuajtje sot, bashkë me të, të gjithë ata që vijnë e ikin në këtë qytet, të gjithë ata që jetojnë në këtë qytet, punojnë këtu, duan të kryejnë nevojat e tyre, përfshi nevojat e tyre jetësore në këtë qytet!

Të bllokosh Tiranën, nuk është interes publik, është kundër interesit publik! Të bllokosh Tiranën, një ditë para krishtlindjes e në orët e pasdites, është mu si ato makinat e ekstremisteve që hyjnë në tregjet e krishtlindjes për të dëmtuar, krijuar panik, trembur!

Të bllokosh Tiranën, një ditë para krishtlindjes, një festë që e festojnë të gjithë bashkë, pa ndarje e në paqe me njëri tjetrin, është thjesht mllef e urrejtje ndaj njerëzve normale që nuk të bëhen pjesë, nuk të mbështesin, duan të mbetet normale në këtë qytet.