Aktualitet Politikë Zgjedhjet 2025

SPAK-u i kthen përgjigje PD-së: Kemi 18 procedime penale për krime zgjedhore!

Në fillim të këtij muaji, Partia Demokratike i drejtoi një kërkesë SPAK-ut, duke i kërkuar informacion lidhur me hetimet për krimet zgjedhore nga Task Forca që u ngrit në muajin janar nga Prokuroria e Posaçme, në bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në lidhje me këtë çështje, numri një i SPAK-ut, Altin Dumani i ka kthyer përgjigje PD-së ditën e sotme. Në dokument thuhet:

Në përgjigje të shkresës tuaj, Nr.267 Prot. datë 02.04.2025, ardhur dhe protokolluar më datë 03.04.2024, pas verifikimeve të kryera në regjistrin e njoftimit të veprave penale të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në lidhje procedimet penale të regjistruara për krimet zgjedhore rezulton se :

1. Për periudhën janar 2025 deri aktualisht, në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe krimit të Organizuar janë regjistruar gjithsej 18 procedime penale që lidhen me krimet zgjedhore.

2. Nga 18 procedime penale të regjistruara gjithsej për krimet zgjedhore, 5 prej tyre janë regjistruar kryesisht.

Duke ju falënderuar për bashkëpunimin,

Drejtuesi i Prokurorisë, Altin Dumani

Në strategjinë e SPAK-ut të bërë publike, ku përfshihet dërgimi në 12 qarqe i 20 prokurorëve, 60 hetuesve të BKH-së e 20 hetuesve financiarë përmendet se nuk do të verifikohen vetëm kallëzimet dhe pretendimet, por edhe mundësia e përdorimit të administratës dhe infrastrukturës publike gjatë fushatës së zgjedhjeve të 11 Majit.

Në këtë monitorim, SPAK-u thotë se krahas Policisë së Shtetit, cilëson partner edhe Shërbimin Informativ Shtetëror, SHISH e Agjencinë e Inteligjencës Financiare. Këtë të fundit jo vetëm për shkak të informalitetit dhe qarkullimit të parasë cash, por edhe për transaksionet e dyshimta e ndjekjen e fondeve që vijnë nga jashtë. Fokusi tjetër është ndikimi i krimit të organizuar jo vetëm përmes blerjes së votës, presionit ndaj zgjedhësve, por edhe financimit të paligjshëm të kandidatëve.

Dumani u pyet edhe për krimet zgjedhore kur ditë më parë raportoi në KLP.

Kemi dërguar prokurorë dhe hetues në qendrat e qarqeve, janë në bashkëpunim të ngushtë dhe komunikim të përditshëm me prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Policinë e Shtetit, me qëllim marrjen e informacioneve në kohë reale, vlerësimin e informacioneve në kohë reale se ku do të adresohet në SPAK apo Prokurorinë e Përgjithshme e më tej edhe ndjekjes penale. Kemi krijuar në faqen zyrtare një model denoncimi nga publiku, ku kemi pasur raportime për raste konkrete dhe vlerësohen nga një grup pune i ngritur nga SPAK-u, për herë të parë.