Zv.kryeministrja Belinda Balluku, njëherazi ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë, nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, ku shqyrtohet imuniteti i saj. Burime për gazetarin e Top Channel, Muhamed Veliu bëjnë me dije se mbledhja do të zhvillohet me dyer të mbyllura. Po sot, Balluku iu bashkua mbledhjes së qeverisë të thirrur nga kryeministri Edi Rama e në përfundim, raportohet se nuk është larguar nga selia e Ekzekutivit.
Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit, sot mblidhet për të shqyrtuar kërkesën e SPAK-ut për autorizim për arrestimin e numrit dy të qeverisë, Belinda Balluku. Partia Demokratike dhe kryeparlamentari Niko Peleshi janë përfshirë në debate mbi USB-në e kyçur në kasafortën e protokollit, me argumentin se materialet janë sekret hetimor. Gjatë mbledhjes pritet të diskutohet, edhe me prokurorët e SPAK, si do të trajtohen këto materiale.