Aktualitet

SPAK-u kërkon arrestimin e Ballukut, sot mblidhet Këshilli i Mandateve!

Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit, sot mblidhet për të shqyrtuar kërkesën e SPAK-ut për autorizim për arrestimin e numrit dy të qeverisë, Belinda Balluku.  Partia Demokratike dhe kryeparlamentari Niko Peleshi janë përfshirë në debate mbi USB-në e kyçur në kasafortën e protokollit, me argumentin se materialet janë sekret hetimor. Gjatë mbledhjes pritet të diskutohet, edhe me prokurorët e SPAK, si do të trajtohen këto materiale.

Në relacionin e dorëzuar në Kuvend për heqjen e imunitetit të Ballukut, SPAK rendit edhe arsyet se përse kërkon arrestimin. Dyshohet se Balluku ka manipuluar 12 tenderë me vlerë 1.2 miliardë euro, iu ka bërë presion dëshmitarëve dhe rrezikon të bëjë krime më të rënda, për shkak të personalitetit, thuhet në relacionin e SPAK-ut.

Në mbledhjen e sotme, zv.kryeministrja ka të drejtë të paraqitet vetë ose me avokat për t’u mbrojtur. Ndërkohë, në mbledhje marrin pjesë dhe prokurorët e SPAK-ut që paraqesin provat se pse duan ta arrestojnë zv.kryeministren e cila ka mandat deputeteje.

Rregullorja e Kuvendit nuk ka afat se kur duhet ta mbyllë shqyrtimin. Ligji ka vetëm një parashikim 3 mujor, brenda të cilit, nëse nuk merret një vendim, kërkesa e Prokurorisë rrëzohet.

Një ditë më parë, Apeli i GJKKO-së la në fuqi masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit të Ballukut, ndërkohë nuk mori në shqyrtim ankesën për pezullimin nga detyra, për t’i dhënë kohë Kushtetueses për t’u shprehur mbi ankimimin e kryeministrit Rama. Më 12 dhjetor, Gjykata Kushtetuese e ktheu Ballukun në detyrë, deri në shqyrtimin e kërkesës së qeverisë, që kërkon zgjidhjen e kompetencave me GJKKO-në.

Balluku është e pandehur për shkeljet me tenderin 190 milion euro të Tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për 7 lotet e Unazës së Madhe 450 milion euroshe në Tiranë. Ndërkaq, dyshohet se ka përcaktuar fituesit edhe të tre tenderave të tjerë.